Protesta qytetare kundër qeverisë Rama dhe projektit në Zvërnec vijon ditën e 43-të të saj. Qindra qytetarë janë mbledhur në bulebardin përpara Kryeministrisë. Pjesëmarrësit në protestë kanë bërë të ditur se tubimet do të vijojnë edhe në javët në vazhdim, deri në përmbushjen e kërkesave të parashtruara. Mes tyre, kërkesa kryesore mbetet dorëheqja e kryeministrit Edi Rama dhe ndryshimi i mënyrës së funksionimit të klasës politike. Protestuesit deklarojnë se do të vijojnë aksionin qytetar, ndërsa marshimi drejt Kryeministrisë pritet të jetë pjesa kryesore e tubimit të sotëm.

Në listën e kërkesave të qytetarëve përfshihen:

  • Dorëheqja e kryeministrit dhe qeverisë, e cilësuar nga protestuesit si e panegociueshme.
  • Krijimi i një qeverie teknike tranzitore, jopartiake, me mandat 12-mujor.
  • Ndryshime kushtetuese për garantimin e barazisë para ligjit dhe reformimin e sistemit politik, përmes një procesi që kërkohet të kalojë edhe në referendum popullor. Këto ndryshime përfshijnë rishikimin e Kodit Zgjedhor, financimit të partive politike, si dhe kufizimin e mandateve të kryeministrit.
  • Anulimi i ndryshimeve në ligjin për zonat e mbrojtura dhe trashëgiminë kulturore, shfuqizimi i Paketës së Maleve dhe rishikimi i kuadrit ligjor për investimet strategjike.
  • Hartimi i një kontrate të re sociale mes qytetarëve dhe shtetit, pas konsultimit me ekspertë, intelektualë dhe qytetarë të pavarur.