Protestat kundër projektit të planifikuar në Zvërnec kanë vijuar edhe këtë të diel, me dhjetëra aktivistë, përfaqësues të organizatave qytetare dhe qytetarë që u mblodhën në qendër të Tiranës për të shprehur kundërshtimin e tyre.
Tubimi nisi në sheshin “Skënderbej”, prej nga pjesëmarrësit marshuan drejt bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, përpara se të vendoseshin para godinës së Kryeministrisë. Ashtu si edhe në ditët e mëparshme, protestuesit paralajmëruan se do të qëndronin për disa orë në shenjë kundërshtimi ndaj politikave që, sipas tyre, cenojnë interesin publik dhe pasuritë natyrore të vendit.
Atmosfera e protestës u shoqërua me flamuj kombëtarë, pankarta dhe thirrje drejtuar qeverisë. Në nisje të aktivitetit, pjesëmarrësit interpretuan himnin kombëtar, ndërsa më pas artikuluan slogane që kërkonin përgjegjësi politike dhe ndryshim të kursit të qeverisjes.
Paralelisht me tubimin në Tiranë, manifestime mbështetëse janë zhvilluar edhe në qytete të tjera, përfshirë Pogradecin, ku qytetarë të ndryshëm iu bashkuan kauzës kundër projektit në Zvërnec.
Organizatorët kanë përsëritur pesë kërkesat që prej ditësh përbëjnë thelbin e protestës. Mes tyre janë largimi i kryeministrit nga detyra, rishikimi i legjislacionit që lidhet me investitorët strategjikë, anulimi i Paketës së Maleve, si dhe shfuqizimi i ndryshimeve të fundit në ligjin për Zonat e Mbrojtura dhe në atë për Trashëgiminë Kulturore.
Protestuesit kanë deklaruar se do të vijojnë mobilizimin edhe në ditët në vijim, duke kërkuar që institucionet të tërhiqen nga vendimet që, sipas tyre, rrezikojnë mjedisin, territorin dhe asetet publike të vendit.
