Tubimi kundër klasës politike ka hyrë në ditën e 90-të, ndërsa protestuesit janë mbledhur sërish në sheshin “Skënderbej” dhe kanë vijuar marshimin drejt Kryeministrisë.
Në podiumin e vendosur në bulevard janë mbajtur fjalime, ku nuk kanë munguar akuzat dhe thirrjet kundër klasës politike.
Gjatë tubimit, protestuesit deklaruan se dy persona që mbanin me vete vezë dhe domate janë arrestuar pranë selisë së Partisë Socialiste, në një kohë kur aty pritej të zhvillohej mbledhja e thirrur nga kryeministri Edi Rama.
Pas përfundimit të fjalimeve, protestuesit kanë vijuar marshimin në rrugët e Tiranës, duke shënuar kështu edhe një tjetër ditë të mobilizimit të tyre.
