Sot shënohet 81-vjetori i Çlirimit të Tiranës nga pushtimi nazist gjatë Luftës së Dytë Botërore. Nga paraburgimi i Durrësit, kryebashkiaku Erion Veliaj ka bërë një reagim publik, duke përkujtuar ata që luftuan për lirinë e kryeqytetit. Në një postim në rrjetet sociale ai shkruan:
“17 Nëntor 1944 – 17 Nëntor 2025
Sot nderojmë me mirënjohje të thellë Çlirimin e Tiranës – ditën kur qyteti ynë u ngrit mbi errësirën, me guxim dhe sakrificë për liri. Përkujtojmë me respekt të gjithë ata që luftuan, që sakrifikuan dhe që na lanë trashëgim Tiranën e lirë dhe krenare që kemi sot. Detyra jonë është ta çojmë përpara me punë dhe dinjitet. Gëzuar Ditën e Çlirimit!”
Tirana u çlirua më 17 nëntor 1944, ngjarje që konsiderohet një nga operacionet më të rëndësishme të zhvilluara nga njësitë e Ushtrisë Nacionalçlirimtare për çlirimin e qyteteve në vend. Detyra për çlirimin e kryeqytetit iu besua Korporatës së I Sulmuese, e cila veproi sipas një plani të detajuar strategjik të Komandës së Përgjithshme, duke krijuar fronte të brendshme dhe të jashtme me synim rrethimin dhe neutralizimin e garnizonit gjerman.
Operacioni u zhvillua në tri faza: faza përgatitore (12 shtator – 28 tetor), faza e parë e sulmit (29 tetor – 10 nëntor) dhe faza e sulmit përfundimtar (11 – 17 nëntor).
Operacioni i mësymjes për çlirimin e Tiranës përfundoi me fitore, pas 19 ditë luftimesh të ashpra brenda në qytet, si dhe gjatë rrugëve të komunikacionit që çonin drejt tij. Më 17 nëntor Tirana u çlirua. Rol të veçantë për suksesin e operacionit luajti beteja e Mushqetasë.
