Nisma


pastrimi i plazhitNisma e Zonjës së Parë për pastrimin e mjedisit është shtrirë në disa qytete dhe plazhe, ku nuk ka munguar puna vullnetare për mbledhjen e mbeturinave. Dje, ky “mision” u shtri në qytetet e Korçës, Vlorës, Durrësit dhe Lezhës. Nga Gjiri i Lalëzit, Zonja e Parë u bëri thirrje qytetarëve që të ndërgjegjësohen për rëndësinë e një mjedisi të pastër. “Dua që kjo ditë të jetë jo vetëm një ditë pastrimi, por edhe një ditë ndërgjegjësimi për të ruajtur ambientin. Gjithashtu, dua t’u bëj një thirrje të gjithë banorëve të Shqipërisë, që të fillojnë ndarjen e diferencuar të mbetjeve që në burim, që do të thotë: secili në shtëpinë e tij të ketë dy kosha, një për mbetje të riciklueshme dhe një për mbetje të pariciklueshme, në mënyrë që të kemi sa më pak mbetje të shpërndara nëpër territor”, tha Odeta Nishani. Vullnetarët kanë pastruar nga mbeturinat edhe plazhin e Zvërnecit, i cili është një ndër më të pëlqyerit nga turistët. Sipas drejtuesit të organizatës “Korpusi Vullnetar Shqiptar”, Mentor Kikia, nisma synon jo vetëm pastrimin e plazhit, por edhe sensibilizimin e qytetarëve për të mirëmbajtur ambientin. Aksioni i kësaj të shtune është pjesë e një aksioni të ndërmarrë në disa qytete të vendit. Dafina Peçi, përfaqësuese e Komitetit Rinor në Lezhë, theksoi se një aksion i tillë duhet të ndërmerret herë pas here dhe për këtë, bashkia duhet të bashkërendojë punën me të rinjtë e qytetit.