Kundërshtimet ndaj projektit të parashikuar në Zvërnec kanë vijuar edhe këtë fundjavë, me qytetarë dhe aktivistë që janë mobilizuar në disa qytete brenda dhe jashtë Shqipërisë.
Në Tiranë, protestuesit u mblodhën për të shtatën ditë radhazi, duke kërkuar ndalimin e investimit dhe rishikimin e planeve për zhvillimin e zonës. Pjesëmarrësit mbajtën pankarta dhe përcollën mesazhe në mbrojtje të mjedisit dhe hapësirave natyrore të Zvërnecit.
Aktivitetet kundërshtuese nisën më herët gjatë ditës në vetë zonën e Zvërnecit, ku qytetarë dhe përfaqësues të grupeve mjedisore zhvilluan një tubim pranë vendit ku pritet të zbatohet projekti. Më pas, protesta u zhvendos në kryeqytet, duke mbledhur mbështetës të kauzës nga zona të ndryshme të vendit.
Ndërkohë, manifestime të ngjashme janë organizuar edhe në qytete të tjera. Protestues janë mbledhur në Shkodër, ndërsa një tjetër tubim solidarizues po zhvillohet edhe në Athinë, ku pjesëtarë të komunitetit shqiptar dhe aktivistë po shprehin mbështetjen e tyre për kundërshtarët e projektit.
Organizatorët deklarojnë se do të vijojnë aksionet dhe aktivitetet sensibilizuese në ditët në vijim, duke kërkuar më shumë transparencë dhe një debat më të gjerë publik mbi të ardhmen e zonës së Zvërnecit.
