Një grup qytetarësh dhe studentësh kanë marshuar këtë të martë drejt kryeministrisë ku po protestojnë për të gjashtën ditë kundër rritjes së çmimeve të hidrokarbureve dhe produkteve të shportës.

Protestuesit janë grumbulluar në sheshin Skënderbej dhe më pas janë drejtuar tek kryeministria, ku po mbajnë fjalime. Ata theksojnë se Paketa e rezistencës sociale e krijuar nga Qeveria nuk është masa e duhur, pasi është anashkaluar pjesa tjetër e popullsisë.

Ata i kanë parashtruar një sërë kërkesash kryeministrit, ndërsa thanë se ka afat deri të shtunën për plotësimin e tyre.

Ata thanë se do të kenë pushim deri ditën e shtunë, për t’u rimbledhur sërish. 

Kjo revoltë e qytetarëve erdhi pas rritjes së menjëhershme të çmimit të produkteve ushqimore dhe hidrokarbureve si efekt i luftës në Ukrainë. Në mbledhjen e sotme, Bordi Kombëtar i Menaxhimit të Hidrokarbureve vendosi që çmimi i naftës dhe benzinës të shitet 211 lekë për litër.

Kërkesat:

-Masa për barrën fiskale, për garantimin e krizës

-Pezullimi i taksës së qarkullimit dhe të karbonit

-Zerimi i përkohëshëm i TVSH për produktet e shportës dhe ulja me 10% në vijim.

– Përcaktim i marshit të fitimit të hidrokarbureve dhe transparencë me publikun.

-Masa për mirëfunskionimin e tregut

-Pezullim i përkohshëm i konccesionit të markimit dhe skanimit. Hetim për operatorët e importit që ndikojnë në cmimin e naftës.

-Mbikëqyrje dhe monitorim 3 mujor nga autoriteti i konkurrencës dhe transparencë për faktorët ekonomikë që kanë zotëruar dhe zotërojnë 25% të vlerës.

-Rishikim i buxhetit të shtetit për vitin 2022, për shkurtimin e harxhimeve operative dhe të luksit të pushtetarëve.

-Krijimi i një kompanie publike që të konkurrojë me hapjen e një rafinerie në Republikën e Shqipërisë.

-Miratimi i minimumit jetik.

-Zgjerim i skemës së kompensimit dhe mbështetjes së femrerëve që duhet të jetë një nga sektorët më të financuar.