Veniten festimet për shkak të motit. Tregtarët e ballokumeve shumë pak fitime këtë vit


ballokumeDita e verës, për vitin 2013 do të mbahet mend si festë në shtrëngatë dimri. Reshje shiu, i ftohtë, madje edhe breshër ka rënë, në Elbasan në qytetin e kryefestimeve.


Ndryshe nga shumë vite moti nuk u ka dhënë armëpushim me qindra qytetarëve që në këtë ditë zgjidhnin festën në natyrë dhe piknikun e famshëm mes këngëve dhe valleve duke uruar një verë të mbarë. Një festë pagane që u ka mbijetuar kohërave duke ruajtur traditën dhe rikthyer ritet e vjetra ka mbledhur sërish në shesh me dhjetëra e dhjetëra qytetarë dhe sidomos fëmijë që kanë shijuar aktivitetet e përvitshme të karnavaleve, në Elbasan.


Kreu i PS-së, Edi Rama, ka qenë i pari politikan në Elbasan, pas ndalesës në Peqin ku është organizuar një festë me pjesëmarrjen e këngëtarëve më të njohur, organizuar nga kandidati për deputet Alfred Peza. Nga Peqini ai është pritur nga kryebashkiaku i Elbasanit, Qazim Sejdini. Vetë Rama është shprehur se me rilindjen shqiptare do të rilindë edhe biznesi duke pasur më pak taksa dhe më shumë mundësi për zhvillim. Rama është shprehur se shiu i kësaj dite është bereqet dhe për këtë kanë nevojë të gjithë prodhuesit që janë pjesë edhe të këtij panairi.


Kryeparlamentarja Jozefina Topalli, në mungesë të Kryeministrit, ka zbritur në qytetin e Ditës së Verës e ndjekur nga Arben Imami, si dhe deputetë lokalë. Ajo ka vizituar të gjitha stendat duke parë nga afër prodhimet e subjekteve pjesëmarrëse në panair. Topalli është shprehur se ka një klimë të mirë të zhvillimit të biznesit dhe këtë do ta zhvillojë më tej edhe përfundimi i rrugës Tiranë-Elbasan.


Ministri i Ekonomisë, Edmond Haxhinasto, i ndjekur nga drejtues të LSI-së ka vazhduar vizitat në panairin Dita e Verës. Haxhinasto ka përmendur rrugën Elbasan-Tiranë si një mundësi që do të sjellë më shumë zhvillim dhe mundësi për zhvillimin e bizneseve.


Në Tiranë festa nuk është ndier thuajse fare. Bashkia e kryeqytetit kishte përgatitur kalendarin e festimeve që në fillim të muajit mars, por për shkak të reshjeve, organizimet janë ndërprerë, pasi zhvillimi i tyre ishte jashtë, në rrugët kryesore të qytetit.


Tregtarët e ballokumeve kanë shitur shumë pak dhe klientët e tyre këtë vit i kanë marrë dyqanet e prodhimeve të brumit, të cilët duke përfituar nga reshjet, në hyrje kanë vendosur tavat me ëmbëlsirën tradicionale.


Sakaq, shitësit e ballokumeve në rrugë edhe pse i kanë mbuluar me qese ballokumet e tyre, janë detyruar të largohen rreth mesditës për shkak të reshjeve të shumta të shiut, me shpresën se produkti nuk do të mbetet stok, por do të shiten, pasi moti do të rregullohet dhe ditë më të mira do të vijnë.


Sakaq, Kryeministri i vendit ka uruar ditën e verës me një mesazh urimi në rrjetin social, “Facebook”. B. Nergjoni