Prokuroria


“Nuk ekziston fakti, pasi s’ka gjurmë të hyrje-daljeve të dorëshkrimeve” 


Prokuroria e Tiranës ka pushuar padinë e familjarëve të ish-diktatorit Enver Hoxha, në lidhje me nxjerrjen e dorëshkrimeve sekrete nga Arkivi i Shtetit, të publikuara më pas në një libër. Sipas akuzës, “nuk ekziston fakti, pasi nuk ka gjurmë të hyrje-daljeve të dorëshkrimeve në Arkivin e Shtetit”. Dosja penale u hetua që nga muaji shkurt i këtij viti dhe u morën një sërë dëshmitarësh dhe shkresash. Fillimisht u pyetën familjarët e ish-diktatorit, djali i tij, Iliri, i cili ishte edhe firmëtari i kallëzimit. Ai tha në arkiv se dokumente sekrete janë marrë nga dorëshkrimet origjinale të babait të tij dhe janë publikuar pa lejen e familjes. Më pas pretendoi se kishim të bënim me një vepër penale. Grupi hetimor, i kryesuar nga prokurori Adriano Dyrmishi, mori në pyetje zyrtarët e Arkivit të Shtetit, të cilët pohuan se nuk kishin asnjë dijeni nëse këto dokumente ishin marrë apo jo nga ky institucion, ndërsa theksuan se me dijeninë e tyre asnjë material nuk ishte prekur. Pas verifikimeve në arkiv, rezultoi se nuk ka asnjë gjurmë të hyrje-daljeve të dorëshkrimeve sekrete, çka solli edhe pushimin e këtij kallëzimi.