Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni, ka cilësuar këtë të enjte si një ditë historike për marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Italisë, pasi u nënshkruan 16 marrëveshje dhe memorandume bashkëpunimi mes qeverisë italiane dhe asaj shqiptare.

Gjatë ceremonisë, të pranishëm ishin liderët e dy shteteve, të cilët theksuan rëndësinë e këtij bashkëpunimi të afërt dhe të gjithanshëm. Marrëveshjet e nënshkruara pritet të krijojnë mundësi të reja për shkëmbim ekonomik dhe të thellojnë bashkëpunimin në projekte strategjike.

“Jam e kënaqur që mirëpres kryeministrin Edi Rama në Romë në një ditë që mund të quhet historike. Jo vetëm për faktin se qeveritë tona takohen në format të këtij lloji, por për sasinë dhe cilësinë e marrëveshjeve dypalëshe. Ne e dimë që marrëdhëniet mes Italisë dhe Shqipërisë i kanë rrënjët thellë. Shkojnë përtej interesave, kemi qenë të mallëngjyer nga kalimi i asamblesë sonë plenare me të paktën 20 ministra që morën fjalën duke folur në mënyrë ekskluzive italisht, pa pasur përkthim.

Mendoni sesi Italia ka qenë dhe është pikë referimi për Shqipërinë. Duam që marrëdhënien ta shndërrojmë në thesar. Italia është partneri i parë tregtar i Shqipërisë, do t’i vendosim marrëdhëniet tona në një plan më të thellë. Kemi lënë një tjetër takim për krijimin e një forumi ku do përfaqësohen ndërmarrje. Kemi përcaktuar drejtimet ku do vijojë bashkëpunimi ynë duke u përqendruar te korridori i 8-të,” – u shpreh Meloni.