Vrasja e efektivit të “Shqiponjave” dy ditë më parë në Fier tronditi opinionin publik, por edhe hapi disa plagë të vjetra.

Azgan Menrica që i mori jetën Novruz Cenaliajt, është vëllai i Kiri Mernicës, i cili në vitin 2019 ka vrarë me thikë Florian Selimin. Sot, nëna e këtij të fundit ka folur në emisionin “Breaking” ku tha se familja Mernica është problematike në Fier. Sipas saj, ata janë njerëz të rrezikshëm.

“Ne kemi jetuar për 20 vjet në fshatin Sulaj të Fierit. Ai ka qenë fshat problematik gjithmonë, pasi aty ka njerëz të armatosur, ka njerëz që mbajnë armë dhe policia nuk i ndalon fatkeqësisht. Edhe nëse i ndalon në një moment, i lëshon përsëri edhe kështu që herë pas herë kemi pasur probleme, kemi bërë denoncime por nuk janë marrë parasysh. Në 2015 kemi pasur një tjetër ngjarje, pasi vëllai im kreu një plagosje sepse ata e kërcënuan me jetë dhe në vetëmbrojtje e sipër, vëllai im ka plagosur njërin nga autorët e krimit dhe përsëri edhe aty, nuk u bë hetimi i duhur sepse nuk e pranuan asnjëherë kush ishin autorët e krimit sepse kishin frikën e hakmarrjes. Dhe erdhi momenti që ata natën e Kurban Bajramit na kanë therur djalin në fyt, duke bërë kurban një djalë 23 vjeç, pa asnjë lloj motivi. Thjesht sepse vëllai im ka plagosur njërin nga ata. Ngjarja ka ndodhur për motive hakmarrjeje por prokuroria dhe gjykata nuk e kanë pranuar. E quajnë vetëm si vrasje për urrejtje, që për mua është dhe më e rëndë sepse të vritet një djalë i ri për urrejtje ndaj fisit tim dhe fisit Selimi është më e papranueshme. Do e ndjek këtë çështje deri sa të kem jetë. Nuk e lë. Dhe një gjë tjetër, Drejtoria e Policisë së Fierit, në bashkëpunim me Prokurorinë dhe ekspertët e kriminalistikës e kanë manipuluar dosjen hetimore. Kanë prishur proces-verbalet e sakta dhe ka çuar një relacion shumë të dobët në Prokurorinë e Fierit, gjë që ka bërë që autorët e krimit të lirohen. Pas një viti e 4 muajve të jenë në arrest shtëpie.

Unë jam larguar nga fshati për shkak të pasigurisë. Ata janë të armatosur rrugëve, që të mos kemi vrasje të tjera ne jemi larguar. Vëllain tim e kanë kërcënuar me armë, e kanë me jetë a vdekje që të na largojnë, janë të ardhur nga veriu dhe i duan tokat për vete. I kanë larguar edhe vendasit. Ata udhëhiqen nga grupe të mëdhenj, nuk janë këta që i bëjnë krimet, këta përdoren si mashë.

Konfliktet me familjen Mernica janë të hapura. Unë nuk e fal gjakun e djalit tim sa të kem jetë. Drejtësia do vonojë por nuk do harrojë. Unë nuk kam siguri fare sepse ata mund të dalin nga burgu çdo ditë sepse e kanë mbrojtjen. Nuk kemi folur asnjëherë me ta, por sa herë shkoj shikoj shtëpinë, i shoh që ata janë gati për luftë. I kanë armët në duar, askush nuk ndërhyn. Ata kanë njerëzit e tyre në policinë e Fierit. Familaj Mernica ka probleme me të gjithë fshatin, janë vrasës, vjedhje, janë parazitë që jetojnë vetëm me vrasje dhe vjedhje.”– tha ajo.