Erjon Hena: Në mbrëmje e lashë me dy bashkëfshatarë


Korçë – Policia ka menduar fillimisht për ndonjë grabitje, por autorët nuk i kishin prekur paratë


Ende pa u shuar jehona e krimit të rëndë në Mallakastër, ku burrë e grua u vranë mizorisht dhe më pas u dogjën në banesën e tyre, një tjetër krim i rëndë ka ndodhur në juglindje të vendit. Në qytetin e Korçës, një 58-vjeçar është gjetur i vrarë me dy plumba brenda lokalit me lotari sportive, që menaxhohej nga i biri. Madje, ky i fundit ka qenë personi që e ka gjetur babanë të vrarë, krim i cili fillimisht u mendua se ishte kryer për grabitje, por më vonë, policia tha se në lokal nuk ishte vjedhur asgjë. Madje, heqja dorë nga pista e grabitjes e ka shtuar edhe më shumë misterin mbi këtë ngjarje të rëndë, pasi viktima njihej si njeri i urtë dhe pa probleme, megjithëse policia ka shoqëruar dy personat, të cilët kanë qëndruar të fundit me të në ambientet e lokalit.


U gjet nga i biri


Policia e Korçës tha se trupi i pajetë është gjetur vetëm në orët e para të mëngjesit së të shtunës, kur djali i viktimës, Erjoni, ka shkuar për të rihapur lokalin. Policia lokale ka bërë të ditur për gazetën, se vrasja dyshohet të ketë ndodhur gjatë mesnatës së të premtes në fshatin Vloçisht të Rrethit të Korçës, ku viktimë ka mbetur 58-vjeçari Hetem Hena. Nga hetimet paraprake të grupit që po merret me zbardhjen e plotë të këtij krimi, mendohet se vrasja të ketë ardhur pas një konflikti të çastit, ndërsa dyshohen si autorë të saj dy bashkëfshatarë të viktimës.


Dy plumba në trup


Duke iu referuar uniformave blu të Policisë së Korçës, mësohet se 58-vjeçari është gjetur i vrarë në lokalin e të birit me dy plumba automatiku ne trup. Hetemi punonte si rojë nate në lokalin ku ushtrohej aktiviteti i basteve sportive, por njëherësh kishte dhe kompjuterë për lojëra fati. Djali i viktimës mësohet të ketë qëndruar në punë deri në orën 23:00 së të premtes dhe më pas ka lënë babanë për të qëndruar aty deri në mëngjes si çdo ditë tjetër.


Dëshmia e të birit


Pas ngjarjes, policia ka marrë në pyetje djalin e 58-vjeçarit, i cili ka deklaruar për oficerin e policisë gjyqësore se në mbrëmje, kur kishte ikur në shtëpi, e kishte lënë babanë në shoqërinë e dy personave të tjerë, të cilët pritej të largoheshin nga momenti në moment. Në këto kushte, policia ka shoqëruar dy personat që ndodheshin në lokal, kur është larguar djali i viktimës, të cilët dyshohen se kanë dijeni për rrethanat e ngjarjes, duke mos përjashtuar edhe mundësinë e implikimit të tyre në krim. Për këtë arsye, grupi hetimor ka ushtruar kontroll në banesën e tyre, ndërkohë që nga këqyrja e vendit të ngjarjes rezulton se viktima është konfliktuar fillimisht me autorin e krimit dhe më pas është qëlluar për vdekje.


Pistat hetimore


Policia juglindore hedh dyshime gjithashtu se vrasja mund të ketë ndodhur për motive të tjera, ku nuk përjashtohet ndonjë çështje bixhozi. Sipas të dhënave, ditët e fundit, viktima ka pasur një debat me dy persona për çështje fare banale. Ndërkaq, grupi hetimor ka përjashtuar pistën e ndonjë grabitjeje të mundshme, e cila ishte ngritur në momentin e parë të ngjarjes. Sipas të dhënave, kjo pistë rrëzohet për faktin se paratë e lojërave të fatit brenda lokalit nuk janë prekur dhe kanë qenë të gjitha në vendin e tyre. Nga dëshmitë e para, që blutë e juglindjes kanë grumbulluar në fshatin Vloçisht, mësohet se 58-vjeçari Hena nuk ka qenë aspak person problematik. Ai njihej si person i rregullt familjar dhe nuk është konfliktuar me banorë të fshatit.


Shoqërohen 20 vetë


Për zbardhjen e ngjarjes, Policia e Korçës ka shoqëruar në komisariat mbi 20 persona, banorë të fshatit, ndërkohë që janë kontrolluar dhjetë banesa, pasi dyshohet që autori të jetë nga fshati dhe arma e krimit mund të jetë e fshehur në ndonjë ndërtesë afër vendit të krimit. Ndërkohë, në morinë e personave të shoqëruar janë edhe dy të dyshuarit e bluve, emrat e të cilëve për arsye hetimi nuk bëhen të ditura. Nga ana tjetër, në sitën e policisë lokale janë vënë gjithashtu të gjithë klientët e lokalit me lotari sportive dhe të lojërave të fatit, që kishin hyrë në lokal gjatë 24 orëve të fundit. Red. Akt.


Dyshimet


Një nga pistat hetimore të policisë ka të bëjë me një debat të viktimës Hetem Hena dy ditë para krimit me disa bashkëfshatarë