Gjykata e Tiranes


Endi Rama kërkon që të jetë trashëgimtari i parë i Fatmirit, i vrarë në vitin 2003


Endi është vetëm 12 vjeç. Babanë e tij, Fatmir Ramën (Miri i Xhikes), nuk e mban mend, pasi ka qenë tre vjeç kur është ndarë.


Ka mësuar për të atin nga e ëma, Manjola, e cila është përballur shpeshherë me drejtësinë, madje herën e fundit para disa javëve, ku Interpoli i aktivizoi një fletarresti të vjetër. Pas verifikimeve, Italia nuk i solli dosje dhe çështja u pushua. Megjithatë, problemet për të venë e Mirit të Xhikes dhe djalit të saj të mitur, që ka edhe nënshtetësi amerikane, nuk kanë të mbaruar. Babëzia për prona i ka kaluar kufijtë e dhembshurisë, ku njeriu nuk njeh as gjakun e tij. Dy vëllezërit e Fatmirit vijojnë të mos e njohin Endin si nipin e tyre, madje injorojnë edhe vendimet e gjykatave, të cilat i kanë vendosur 12-vjeçarit mbiemrin Rama dhe atësinë Fatmir.


Megjithatë, Luani dhe Besniku kanë përdorur një vendim të mëparshëm për trashëgiminë e Fatmirit dhe kanë përjashtuar djalin e tij, i cili, sipas ligjeve shqiptare, trashëgon pasurinë e të atit. Me këtë vendim të mëparshëm, xhaxhallarët e Endit nuk e kanë vendosur si trashëgimtar të disa pronave që trashëgonte e ëma e tyre, Xhevairja, në një nga zonat më të preferuara në Tiranë për ndërtime. Duke qenë familje Grori, e ëma e Fatmir Ramës përfiton truall dhe duke qenë se ka ndërruar jetë, pasuria u kalon fëmijëve të saj, Luanit, Besnikut dhe Fatmirit. Ky i fundit ka ndërruar jetë në vitin 2003 dhe sipas procedurave, trashëgimia e tij u kalon fëmijëve nëse ka. Gjykatat shqiptare, me gjithë kundërshtitë e shumta, kanë njohur si trashëgimtar të Fatmir Ramës 12-vjeçarin Endi Rama, i cili ka si vendlindje shtetin e Nju Jorkut, në SHBA.


Duke qenë se përfitimet në këtë truall janë të mëdha dhe se Endi është përjashtuar nga trashëgimia që i takon me ligj, në Gjykatën e Tiranës është regjistruar një padi civile. Kërkues është pikërisht 12-vjeçari Endi Rama. Çështja mban numrin 16553 dhe është regjistruar dy ditë më parë. Të paditur janë Besnik Rama dhe Luan Rama. “Objekti i padisë është kërkimi i trashëgimisë. Njohjen e paditësit, Endi Rama, i mitur si trashëgimtar ligjor i pjesës takuese, 1/3 e babait të tij të ndjerë Fatmir Rama, pjesë të cilën Fatmir Rama e trashëgon nga prindërit e tij në masën 1/3 në mënyrë të barabartë me Besnik dhe Luan Ramën, si dhe dorëzimin e pasurisë trashëgimore të Fetah Rama dhe Haxhire Rama (Grori) të disa pasurive”, thuhet në padi.


Sipas saj, bëhet fjalë për pasurinë e paluajtshme e ndodhur në zonën kadastrale 8160. “Kërkojmë shpalljen e pavlefshme të vendimit të dëshmisë së trashëgimisë nr. 2510, datë 4 qershor 2003 të Gjykatës së Tiranës. Urdhërimin e fshirjes së regjistrimit të hipotekës të vendimit nr. 2510, datë 04.06.2003 të Gjykatës së Tiranës. Urdhërimin e regjistrimit të njohjes si trashëgimtar ligjor me zëvendësim të Fetah Ramës dhe Haxhire Ramës paditësin Endi Rama në masën 1/3 të barabartë me Besnik dhe Luan Ramën, të të gjithë pasurive të luajtshme apo të paluajtshme kudo që ndodhen”, thuhet në padinë e regjistruar në gjykatë. Një tjetër kërkesë e Endit është që gjykata të vendosë një urdhër regjistrimi të njohjes si trashëgimtar ligjor i vetëm i radhës së parë të të ndjerit Fatmir Rama, të birin, paditësin Endi Rama, të të gjitha pasurive të luajtshme apo të paluajtshme, kudo që ndodhen.


Hetimet, pushohet procedimi ndaj Manjola Priftit


Prokuroria e Tiranës ka pushuar procedimin penal për pastrim parash ndaj Manjola Priftit, pasi shteti italian nuk ka sjellë asnjë dosje ndaj kësaj shtetase, për të cilën Interpoli aktivizoi një fletarresti të vjetër. Tashmë, të vesë së Mirit të Xhikes i lind e drejta të kërkojë revokimin e të gjitha vendimeve të gjykatës dhe të prokurorisë, pasi vendi që ka ngritur akuzat ndaj saj nuk ka asnjë provë. Manjola Prifti u ndalua disa javë më parë dhe pas informacioneve paraprake rezultoi se kërkesa për arrest kishte ardhur nga Italia. Por, hetimet e mëvonshme zbuluan se nuk ishte drejtësia e shtetit italian që e kishte kërkuar Manjolën, por u aktivizua një urdhër-arresti i vjetër.