Pano Ruçi, shqiptari që humbi djalin në aksidentin tragjik në Tempi të Greqisë prej 17 ditësh po zhvillon një grevë urie, teksa refuzon të kryejë analizat laboratorike për të parë gjendjen shëdetësore.
Sipas mediave greke, shërbimet e urgjencës janë në gatishmëri dhe ekipet e shpëtimit po monitorojnë gjendjen e tij, por ai refuzon t’i nënshtrohet testeve laboratorike.
“Që nga fillimi i grevës së urisë në Syntagma, EKAB ka siguruar gatishmërinë e saj operacionale me një prani të vazhdueshme të ekipeve të ambulancës ose motoçikletave të Ekipit të Ndërhyrjes së Menjëhershme, siç është parashikuar edhe për qendrën e Athinës.
Shpëtuesit e EKAB monitorojnë gjendjen shëndetësore të grevistit të urisë çdo ditë dhe në intervale të rregullta duke kontrolluar shenjat jetësore dhe pamjen klinike, duke theksuar vazhdimisht domosdoshmërinë e kontrolleve të rregullta mjekësore dhe laboratorike për të siguruar shëndetin e tij.
Megjithatë, deri më sot ai nuk ka pranuar t’i nënshtrohet testeve të tilla, gjë që e bën edhe më të vështirë monitorimin dhe përgatitjen për transferimin e tij të menjëhershëm dhe të sigurt në spital, nëse kjo bëhet e nevojshme.”- thuhet në reagim.
Denis Ruçi, djali i Panos, humbi jetën në aksidentin e ndodhur në Tempi të Greqisë, ku u përplasën dy trena. Tashmë Ruçi pretendon se trupi që iu dha nga autoritetet nuk është i të birit, pasi nuk mund të dallohet nga djegiet që ka pësuar. Ai kërkon një ekspertim mjeko-ligjor apo analizë ADN-je, që është refuzuar nga autoritetet.