Deklaratë e Partisë Demokratike të Shqipërisë:
“Sezoni turistik i sivjetshëm u kthye në ‘verë të zeze të Shqipërisë”, me tre muaj ku spikati terrori i dhjetëra vrasjeve, zjarret anekënd vendit, shpërthimet me tritol, pasiguria.
Më e fundit në këtë stinë të përgjakur, është vrasja e një djaloshi 20 vjeçar francez, i ardhur me pushime në Ksamil.
Ai do t’i kthehet familjes dhe vendit të vet në arkëmort.
Partia Demokratike i shpreh ngushëllimet familjes së të ndjerit dhe bashkohet me dhimbjen dhe lutjet e tyre.
Për autoritetet e vendit, për narko-qeverinë, kjo vrasje makabre nuk mund të trajtohet si një tjetër komunikatë në kronikën e zezë. Ajo është faqja e zezë e Policisë dhe qeverisë, e cila siç ka treguar kaq e kaq herë, e ka mendjen te videot plot me suksese imagjinare, dhe jo te policimi në komunitet, jo te puna e parë e saj: parandalimi.
Policia e Shtetit është kthyer në një agjensi që ndjek ‘autorët e ikur në drejtim të paditur’, jo një forcë të parandalimit të krimit, garantimit të sigurisë, forcimit të rendit publik.
Sipas shprehjes popullore c’të mbjellësh, do të korrësh, kështu do vijojë të jetë sa kohë në drejtim emërohen patronazhistët e partisë, në partneritet me bandat, duke e kthyer edhe vetë policinë në bandë me uniformë.
Partia Demokratike zotohet se, me ardhjen në qeveri një Paketë Anti-Krim do të instalohet në 100 ditët e para, duke i dhënë fund partneritetit të strukturave shtetërore me narko-mafian. Rikthimi i sigurisë publike, siç është dëshmuar në Qeverinë Berisha 2005-2009 është prioriteti ynë kryesor; jo një premtim politik, por një detyrë patriotike për t’u kryer.
Vrasja e 20 vjeçarit është ditë zie për turizmin shqiptar dhe shenja se, jo publiciteti, por serioziteti është puna e një shteti.”
