Kryeministri Edi Rama zhvilloi një bashkëbisedim me pensionistët e Njësisë nr. 2 për rritjen ekonomike dhe politikat sociale, si dhe reformën e pensioneve me bonuset e përvitshme dhe rritjen që do të vijojë sipas kategorive për tu 5-fishuar deri me 2030-ën.
Gjatë fjalës së tij, kreu i qeverisë premtoi ndryshime në skemën e pensioneve, teksa shtoi se dëshira për të rritur pensionet ka qenë e hershme, por për shkak të ekonomisë ishte e pamundur.
Sakaq Rama tha se nga janari i vitit 2027 do të ketë sërish rritje të pensioneve dhe kështu me radhë deri në vitin 2030.
“Do duhet të mos fokusohemi vetëm te pensionet, pasi besoj se jemi në një fazë tjetër. Ne kemi hasur shumë probleme me faktin që nuk arrinim dot të rrisnim pensionet. Ndërkohë që filluan të rriten pagat, të viheshin në vijë investimet, sërish kur vinte puna te pensionet e kishim të pamundur, pasi ndesheshim me këtë stres nga ana e pensionistëve, që realisht e kanë më të vështirë se të tjerët.
E vetmja gjë që kemi bërë për vite të tëra ka qenë indeksimi i pensioneve, por kjo nuk është rritje në kuptimin e plotë të fjalës. Ajo që unë kam përsëritur në të gjitha rastet është se e vërteta na ka penguar në rritjen e pensioneve, sepse ekonomia nuk na mbështeste. Ashtu sikur kishim menduar, erdhi momenti që ekonomia na i mundësoi. Nga janari i këtij i viti që do vjen do të merrni pensione më të larta. Çdo vit do merrni rritje të pensioneve. Ne ndërkohë kemi diskutuar për të tjera ndryshime që do të bëjmë në skemën e pensioneve, duke filluar që të krijojmë edhe një hapësirë tjetër për të gjithë ata që duhen të kursejnë më shumë. Edhe për pensionistët duan që të punojnë, edhe atje ka hapësirë. Kemi diskutuar edhe mbështetjen për invalidin, të cilët duan të trajtohen në mënyrë të barabartë. Do ta korrigjojmë.
Thelbi i këtyre që po them është ekonomia. Është ndryshimi domethënës i ekonomisë sonë që na i jep mundësinë. Lajmi i mirë sot është që i kemi këto mundësi. Kemi kaluar në një tjetër nivel“, u shpreh Rama.
