E ftuar në “Shqipëria Live”, Monika Kryemadhi i është rikthyer deklaratës së bujshme në lidhje me zgjedhjet për kryebashkiak në Tiranë në vitin 2014.

Kryemadhi ka sqaruar se në këto zgjedhje, për Tiranën ishin në dilemë nëse duhet të kandidonin Saimir Tahirin, Blendi Klosin apo Erion Veliajn. Sipas saj, Ilir Meta mbështeste Blendi Klosin, teksa ajo dhe Edi Rama, mbështesnin Erion Veliajn.

“Në zgjedhjet për kryebashkiak, ishte Saimir Tahiri, Blendi Klosi dhe Erion Veliaj. Iliri donte Blendi Klosin sepse vinte nga strukturat e PS-së. Iliri është bolshevik dhe i majtë në thelb dhe ishte i lidhur shpirtërisht me PS-në. Unë mbështesja Veliajn sepse çdo i ri është revolucionar, idealistë. Veliaj ishte më punëtor, më i hapur dhe më idealist. Por pushteti i transformon njerëzit. Rama nuk e tregonte kë donte sepse e dinte që në fund kushdo që të ishte, ai do e menaxhonte.

Unë nuk e di çfarë do kishte bërë Saimir Tahiri apo Blendi Klosi po të ishin kryebashkiakë. Por në politikë të gjithë bëjnë gabime. Ne nuk duhet të luftojmë për individ të fortë por duhet të luftojmë për sistem të fortë. Ne sot nuk kemi sistem. Pra sistemi kontrollohet nga një person i vetëm brenda partive dhe të tjerave. Veliaj ka bërë punë patjetër, nuk mund të them që nuk ka bërë.”– tha Kryemadhi.