Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, ka ngritur shqetësimin për situatën me të cilën, sipas tij, po përballen fermerët shqiptarë, duke kërkuar ndërhyrje ligjore për të frenuar abuzimet në tregun e produkteve bujqësore.
Gjatë fjalës së tij në Kuvend, Braçe solli si shembull tregtimin e shalqirit në Divjakë, ku, sipas tij, persona që ushtrojnë aktivitet pa licencë dhe pa qenë të regjistruar në organet tatimore u imponojnë fermerëve çmime shumë të ulëta për prodhimin.
Deputeti theksoi se, ndërsa konsumatorët e blejnë shalqirin në treg me rreth 30 lekë për kilogram, fermerët detyrohen ta shesin me vetëm 6 deri në 7 lekë.
Sipas Braçes, kjo situatë kërkon rregullim të menjëhershëm të tregut, duke ndarë qartë rolin e furnizuesve të inputeve bujqësore nga ai i grumbulluesve, eksportuesve dhe financuesve.
“Kur i njëjti subjekt kontrollon furnizimin me inpute, grumbullimin, eksportin dhe financimin, ai fiton një pozitë dominuese në treg dhe është në gjendje t’u diktojë fermerëve çmime gjithnjë e më të ulëta”, u shpreh deputeti.
Braçe tregoi se shumë fermerë përballen me presion për të pranuar çmimin që u ofrohet, pasi në të kundërt përballen me refuzimin për t’ua blerë prodhimin.
Duke përshkruar situatën, ai citoi edhe mënyrën se si, sipas tij, zhvillohen negociatat në terren.
“Pyetja që u bëhet është: ‘Do ta shesësh me këtë çmim?’ Nëse përgjigjja është ‘Jo’, përgjigjja që marrin është: ‘Atëherë nuk ta blejmë.’ Kjo është marrëdhënia tregtare që po ekziston sot në shumë zona bujqësore”, deklaroi Braçe, duke kërkuar ndjesë për gjuhën e përdorur në citim.
Deputeti socialist theksoi se miratimi i ligjit nuk do të japë rezultat nëse nuk shoqërohet me reforma në sistemin fiskal dhe me mekanizma që garantojnë mbrojtjen e fermerëve nga praktikat abuzive.
Ai pranoi se ka edhe modele pozitive funksionimi në sektor, por nënvizoi se rastet e abuzimit ndaj prodhuesve duhet të identifikohen dhe të marrin fund, në mënyrë që fermerët të përfitojnë një shpërblim të drejtë për punën dhe prodhimin e tyre.
