Një ngjarje e rëndë tronditi Tiranën sot ku gjyqtari Astrit Kalaja u ekzekutua me armë zjarri në vendin e tij të punës, pikërisht në sallë të gjyqit.

Ai u qëllua me 4 plumba nga 30-vjeçari Elvis Shkëmbi, i cili u arrestua menjëherë pas krimit.

Kjo në fakt, dukej një ngjarje e paralajmëruar, nëse do të merren për bazë fjalët e xhaxhait të autorit të vrasjes, Gjon Shkëmbi.

E gjitha bëhet fjalë për çështje pronësie me të cilën ishte ngarkuar gjyqtari Kalaja. Në një dalje të mëhershme publike Gjon Shkambi deklaronte se kjo çështje do të zgjidhej me vetëgjyqësi nëse nuk ndërhynte shteti.

“Kemi bërë disa herë kërkesë me shkrim te shefi i Komisariatit e te drejtori e te njëri e te tjetri, asnjë nuk na ka dhënë përgjigje. As negative, sa për të thënë që nuk bëhet. Kur ishin votimet na thoshim hajt se mos na marrin për prag votash, po as para as pas votimeve nuk na morën. Duhet me u konfliktu me ta vetë, tani kjo punë do zgjidhet vetëm me vetëgjyqësi nëse nuk ndërhyn shteti,” shprehej Gjon Shkëmbi.