Kryeministri Edi Rama ka ndarë një videomesazh sa i përket faljes së gjobave tatimore ndaj bizneseve në bazë të viteve.

Kreu i qeverisë theksoi se ky proces do të realizohet në dy forma kryesore, ndërsa paketa e paqes fiskale do të përfshirë falje për të gjitha sipërmarrjet me detyrime të prapambetura.

Sipas Kryeministrit, sipërmarrjet do të përfitojnë:

  • Fshirje e plotë e detyrimeve tatimore të papaguara që i përkasin periudhave më të hershme se 10 vite, të regjistruara në llogaritë tatimore të subjekteve.
  • Fshirje 50 % e detyrimeve për periudha 5-10 vite nëse shuma e mbetur paguhet njëherë brenda një afati të përcaktuar, së bashku me fshirjen e gjobave dhe të interesave.
  • Fshirje 25% e detyrimeve për të njëjtën periudhe nëse shuma paguhet me këste brenda 1 viti, gjithashtu edhe kjo me fshirje të gjobave dhe interesave.
  • Fshirje e gjobave dhe kamatëvonesave për 1-5 vite me kusht që të paguhet e plotë tarifa, tatimi ose kontributi i të njëjtës periudhë.

Rama gjithashtu shtoi se do t’u jepet mundësia të gjitha sipërmarrjeve të korrigjojnë pasaktësitë në deklarimet e mëparshme në pasqyrat e tyre financiare.

“Përshëndetje. Përsëri unë dhe përsëri për të rejat e vitit që po troket. Zgjedhjet kanë mbaruar dhe këtë po ju a kujtoj atyre që thoshin: ‘Hajd mo se premtoni për vota e pastaj harroni’. Por ja ku jemi. Nuk kemi zgjedhje përpara dhe ne jo vetëm që nuk premtojmë thjeshtë për vota jo vetëm nuk harrojmë, por ato 83 mandatet të atij besimi të jashtëzakonshëm që morëm nga njerëzit na kanë vënë në pozita pune si kurrë më parë dhe çfarë jam zotuar e konsideroj minimumin e borxhit moral të Partisë Socialiste ndaj shqiptarëve.

Siç e kemi të shkruar në programin që paraqitëm para zgjedhjeve, paketa fiskale e parashikuar qysh në buxhetin e vitit të ardhshëm do të hapë një kapitull të ri mes sipërmarrjes dhe administratës popullore. Paqja fiskale, paqja fiskale e promovuar gjatë procesit elektoral është tanimë një paketë e shkruar e konceptuar për të forcuar bashkëpunimin dhe rritur besimin mes administratës tatimore dhe sipërmarrjes e po ashtu anasjelltas.

Do të mbyllim çështjet e vjetra, pikërisht për t’i dhënë krah këtij besimi dhe për të forcuar këtë bashkëpunim. Por si do të mbyllen çështjet e vjetra? Procesi do të realizohet në dy forma kryesore. Së pari do të ofrohet një falje për të gjithë sipërmarrjet me detyrime të prapambetura. Si do të jetë kjo falje?

A – Fshirje e plotë e detyrimeve tatimore të papaguara që i përkasin periudhave më të hershme se 10 vite të regjistruara në llogaritë tatimore të subjekteve.

B – Fshirje e 50% të detyrimeve për periudhat 5-10 vite nëse shuma e mbetur paguhet njëherësh brenda një afati të caktuar së bashku me fshirjen e gjobave dhe interesave.

C – Fshirje e 25% e detyrimeve për të njëjtën periudhë, 5-10 vite, nëse shumat paguhen me këste brenda 1 viti, gjithashtu dhe kjo me fshirje të gjobave dhe të interesave.

D – Fshirje e gjobave dhe kamatëvonesave për periudhat 1-5 vite, me kusht që të paguhet i plotë tatimi, tarifa ose kontributi i së njëjtës periudhë.

Nga ana tjetër do t’i jepet mundësia të gjithë sipërmarrjeve të korrigjojnë pasaktësira në deklarimet e mëparshme në pasqyrat e tyre financiareve. Për ndryshimet mes deklarimit të vjetër dhe atij të riut, pra të vetëkorrigjuarit, do të paguhet vetëm 5% tatim diftivi.

Por nuk mbaron me kaq. Si do të krijojmë ne një marrëdhënie të re besimi dhe bashkëpunimi mes administratës dhe sipërmarrjes në të ardhmen? Për një periudhë që mund të shtrihet deri në 3 vite, sipërmarrjet mund të lidhin marrëveshje vullnetare me administratën tatimore ku të pranojnë të rrisin me 18% fitimin e tatueshëm në krahasim me vitin e kaluar. Që do të thotë se ky fitim tatohet në bazë të ligjit në fuqi, ndërsa për çdo shtesë në këtë fitim, tatimi do të jetë vetëm 5%. Gjatë kohës që është në fuqi marrëveshja e paqes fiskale, sipërmarrjet nuk do t’i nënshtrohen kontrolleve tatimore që lidhen me tatimin mbi fitimin.

Është një paqe e shkruar siç thasë, e cila do të diskutohet në Kuvend dhe jo më një paqe thjesht e propozuar në një program elektoral. Është një paqe e cila, sipërmarrja, përfaqësuesit e saj që na kanë takuar gjatë procesit elektoral na shikonin me dyshim dhe disa më thonin: ‘Muk keni për ta bo këtë. Është shumë e bukur po nuk do të bëhet’. Ja pra që do të bëhet. Sepse këta jemi ne, ky jam unë, kjo është Partia Socialiste e Shqipërisë”, tha Rama.