Gjykata e Tiranë ka dënuar një 25-vjeçar me 6 muaj burg, pasi ka mashtruar të afërmit e tij për të marrë një sasi të konsiderueshme parash dhe sende me vlerë. Historia ka ndodhur në kryeqytet vitin e shkuar, kur viktima K.H. ka kallëzuar djalin e dajës së bashkëshortes, shtetasin me iniciale E.M..
Sipas viktimës ai i ka marrë një shumë prej 25 mijë lekësh të reja dhe sende me vlerë 60 mijë lekësh me pretendimin se donte të largonte “magjitë në shtëpinë e tij”. K.H. është telefonuar nga E.M., i cili i ka kërkuar 40 mijë lekë pasi i nevojiteshin për vajzën e shtruar në QSUT. K.H ka shkuar vetë atje dhe i ka dhënë shumën prej 40 mijë lekësh të pandehurit, i cili i ka premtuar se do t’ia kthente brenda shkurtit.
Hsitoria që në pamje të parë duket krej qesharake, ka vijuar me një tjetër kërkesë nga 25-vjeçari, i cili i ka thënë viktimës K.H. se kishte probleme me bashkëshorten, që kishte dështuar. Për këtë 25-vjeçari ka thënë se kishte folur me një hoxhë, i cili luftonte magjitë dhe i ka kërkuar viktimës disa sende me vlerë që do t’i përdorte si “nishane” për të larguar magjitë.
Viktima është telefonuar edhe nga një person, i cili është prezantuar si hoxha dhe i ka kërkuar t’i dërgojë sendet me vlerë, që do t’ia kthente pas disa ditësh. K.H. i ka dërguar sendet me vlerë dhe një sasi parash përmes një shoferi linje në Zall-Bastar. Pasi ka pritur deri të premten, atij nuk i janë kthyer më sendet me vlerë.
Në këto kushte, ai ka telefonuar shoferin e linjës, i cili i ka thënë se sendet me vlerë dhe paratë që ka dorëzuar në Zall-Bastar nuk i ka marrë asnjë hoxhë, por një djalë i ri, i cili i kishte thënë se ishte dërguar nga vetë hoxha. Po atë ditë, viktima është telefonuar nga një numër tjetër, i cili është prezantuar si i dërguar nga hoxha dhe i ka kërkuar edhe 12,500 lekë të tjera, që i duheshin për arsye personale, pasi kishte shtruar të atin në spital. Viktima të nesërmen ia ka dërguar shumën e kërkuar personit përmes një shoferi tjetër në Zall-Bastar.
Pasi kanë kaluar disa ditë, viktima ka gjetur dhe kontaktuar hoxhën, që i ka përmendur i afërmi dhe ai i ka thënë se nuk ka qenë kurrë në dijeni të këtyre fakteve dhe se emri i tij ishte përdorur. Në këtë mënyrë, viktima i është drejtuar më pas Komisariatit të Policisë, ku ka kallëzuar të afërmin e tij për mashtrim.
1 korrik 2018 (gazeta-Shqip.com)