Një sasi e vogël e dyshuar lënde eksplozive është gjetur në orët e para të mëngjesit pranë derës së një biznesi në pronësi të këngëtarit Rigels Rajku, i njohur si Noizy, në zonën e Plazhit të Durrësit.
Sipas Policisë, lënda e dyshuar eksplozive është gjetur e pashpërthyer. Pas marrjes së njoftimit, në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e Policisë dhe grupi hetimor, të cilët kanë nisur punën për dokumentimin e plotë të ngjarjes dhe identifikimin e autorit apo autorëve.
Ky nuk është rasti i parë që biznesi i këngëtarit bëhet objekt i një ngjarjeje të tillë. Më 8 qershor 2022, një sasi tritoli shpërtheu në të njëjtin objekt, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale.
Në atë kohë, Noizy ngriti dyshime për përfshirjen e reperit Cllevio, me të cilin kishte pasur një konflikt publik.
Një vit më vonë, në qershor, një tjetër biznes i Noizyt në zonën e Currilave u përfshi nga flakët në dy raste. Për zjarrvënien e dyshuar si të qëllimshme, Policia arrestoi një 26-vjeçar, i cili rezultoi të ishte kushëriri i këngëtarit.
Ndërkohë, lidhur me ngjarjen e fundit, hetimet vijojnë për të përcaktuar rrethanat dhe nëse lënda e gjetur ishte vendosur me qëllim dëmtimin e biznesit.
