Deputeti socialist Erion Braçe ka deklaruar se në zgjedhjet e ardshme vendore do të garojë për t’u zgjdhur kryetar i Bashkisë Tiranë. Përmes një postimi në rrjetet sociale, Braçe thekson se do t’i shërbejë Tiranës nëse zgjidhet kryebashkiak i saj, duke nënvizuar se shumë njerëz i kanë shkruar duke i thënë se personave të caktuar u është thënë ‘që duhet të punosh’ se do bëhesh kryetar/e bashkie.

“Nuk ka gjë më të mirë që PS të ketë alternativa për kandidatin e kryetarit të Bashkisë”, thotë Braçe.

Kujtojmë se Braçe ka shprehur ambicien e tij për të garuar për mandatin e kryebashkiakut fillimisht më 28 mars, gjatë mbledhjes së Asamblesë të Partisë Socialistë në njësinë numër 5.

Postimi i plotë:

Nga mesi i Kombinatit: Unë nuk besoj se socialistët duan një njoftim, por duan të vendosin. Unë nuk besoj se socialistët duan të votojnë një njoftim, por duan të zgjedhin kandidatin e tyre për Bashkinë e Tiranës! Më kanë shkruar plot njerëz të mirë nga territori këto ditë.

I kanë thënë dikujt: “Ti do të jesh, fillo puno”, dhe ai ka nisur punën fort. I kanë konfirmuar dikujt tjetër: “Ty të kam, merru me njerëzit”, duke e lënë të kuptohet se “mund të jesh ti”.

Shikoni, kjo është shumë mirë. Ka gjallëri, edhe pse e padukshme, edhe pse “nuk është momenti”. Mua më pëlqen të ketë garë, punë konkrete në territor, diskutime për zgjidhje.

Jam edhe unë një nga të gjithë dhe nuk prita të më thotë dikush: “Do të jesh ti, puno tani”. Jo. Ndjeva njerëzit në rrugët dhe lagjet e Tiranës, pashë çfarë nuk ecën dhe krijon probleme. Po kuptoj qytetin dhe nevojat e tij rrugicë më rrugicë. Po flas me shumë njerëz për atë që duhet të ndryshojë rrënjësisht në këtë qytet, për ta rikthyer që të bëhet sërish i jetueshëm. Po pres garën dhe do t’i shkoj deri në fund, si gjithmonë, për ta fituar këtë punë, sepse punë është!

Nuk pres një njoftim në mur apo në eter. Nuk vlen njoftimi, është i vjetër. Kriza që po jetojmë ka në thelb mënyrën se si vendosim, dhe njoftimi, përjashtues në përgjithësi, nuk është më element i vendimmarrjes. Socialistët, para së gjithash, por edhe njerëzit më gjerë – sidomos në këtë qytet – duan të jenë pjesë e vendimmarrjes, jo të marrin dhe të votojnë njoftime si produkt i një vendimmarrjeje që po bëhet gjithnjë e më e ngushtë dhe që nuk i përfshin. Kjo duhet të ndryshojë dhe Tirana e meriton!