Detaje tronditëse kanë dalë në dritë pas vrasjes së gjyqtarit Astrit Kalaja, ngjarje që tronditi sistemin gjyqësor dhe opinionin publik ditën e hënë.

30-vjeçari Elvis Shkambi qëlloi me tre plumba gjyqtarin Kalaja brenda ambjenteve të Gjykatës së Apelit në Tiranë, pas një vendimi që nuk favorizonte xhaxhain e tij, Gjon Shkambi.

Ajo që e bën ngjarjen edhe më të rëndë është fakti se xhaxhai i autorit, Gjon Shkambi, kishte paralajmëruar publikisht për një përplasje të mundshme për pronën që ndodhej në qendër të konfliktit.

Një vit më parë, më 6 tetor 2024, gjatë një debati në një emision televiziv, Shkambi shprehu hapur kërcënimet e tij. “Ja gjej unë formën se si me e liru. Si ta minoj në 4 qoshet se është prona ime. E kam me certifikatë. Të gjithë do t’ju hedh në erë. Po ju paralajmëroj, të gjithë do t’ju hedh në erë.”, paralajmëronte xhaxhai i autorit të krimit të rëndë.

Përplasja për pronën në lagjen “Skënderbeg”, ku ndodhej godina e ish-Shkollës së Rezervave, ka qenë burimi i konfliktit që çoi në ngjarjen tragjike. Veç gjyqtarit Kalaja, autori Elvis Shkambi qëlloi edhe ndaj palës kundërshtare në proces, babait dhe birit Ragip dhe Ervis Kurtaj, por fatmirësisht ata mbetën të gjallë.

Pas krimit, Shkambi u dorëzua menjëherë pranë një patrulle policie në dalje të gjykatës. Autoritetet kanë nisur një hetim të thelluar për të zbardhur jo vetëm motivet e plota, por edhe për të kuptuar se si u cënua siguria në një institucion të drejtësisë, duke lejuar hyrjen e një personi të armatosur në sallën e gjyqit.