Kompanitë kryesore të importit të karburanteve kanë paralajmëruar se do t’i drejtohen gjykatës për të kërkuar dëmshpërblim nga shteti, duke pretenduar se metodologjia e përdorur nga Bordi i Transparencës po i detyron të shesin nën kosto dhe po u shkakton humbje të konsiderueshme financiare.

Në një shkresë drejtuar institucioneve qeveritare, operatorët argumentojnë se formula aktuale e përllogaritjes së çmimeve nuk pasqyron realitetin e tregut, pasi bazohet në referencën FOB, ndërkohë që importet kryhen prej kohësh me kontrata CIF, të cilat përfshijnë edhe kostot e transportit dhe sigurimit.

Sipas tyre, kjo diferencë ka sjellë një rritje të kostove që nuk reflektohet në çmimin final të miratuar nga Bordi. Operatorët pretendojnë se, përveç kostove të importit, në formulë nuk janë marrë parasysh as efektet e inflacionit, rritja e pagave, sigurimeve shoqërore, qirave dhe shpenzimeve të tjera operative gjatë viteve të fundit.

Importuesit theksojnë se marzhet e përcaktuara nga Bordi janë më të ulëta se kostot reale të operimit, duke krijuar, sipas tyre, një diferencë të ndjeshme për çdo litër karburant të tregtuar. Ata paralajmërojnë se kjo situatë po vë në vështirësi veçanërisht operatorët më të vegjël, disa prej të cilëve rrezikojnë falimentimin.

Në reagimin e tyre, kompanitë kërkojnë rishikimin e menjëhershëm të metodologjisë së përllogaritjes së çmimeve dhe të kuadrit rregullator. Në të kundërt, ato paralajmërojnë se do të ndjekin rrugën ligjore për të kërkuar kompensimin e dëmeve të shkaktuara.

Sipas burimeve të sektorit, dëmi i pretenduar nga operatorët deri në këtë fazë llogaritet në disa milionë euro, ndërsa negociatat me institucionet shtetërore mbeten ende të hapura.