Një 22-vjeçar shqiptar është arrestuar në Itali, pasi dyshohet se plagosi rëndë me thikë një 35-vjeçar maroken gjatë një përleshjeje në Treviglio, në provincën e Bergamos. I riu po mbahet në burg dhe ndaj tij është ngritur akuza për tentativë vrasjeje.

Përplasja ndodhi rreth orës 22:00 të së enjtes dhe dyshohet se u shkaktua nga një konflikt për motive xhelozie. Dy të përfshirët kishin udhëtuar me të njëjtin tren dhe debati mes tyre nisi sapo mbërritën në stacionin e qytetit. Në dalje, 35-vjeçarin e prisnin edhe dy miq të tij.

Nga shkëmbimi i fjalëve, situata kaloi brenda pak minutash në konfrontim fizik. Pronari i një lokali pranë stacionit deklaroi se i kishte parë dy personat duke u grindur që pas zbritjes nga treni. Sipas dëshmisë së tij, shqiptari bërtiste dhe i kërcënonte personat përballë me fjalët: “Do t’ju vras”.

Një pjesë e episodit është regjistruar nga kamerat e sigurisë të zonës, ndërsa karabinierët po analizojnë pamjet për të përcaktuar rolin e secilit person në konflikt.

Sipas versionit paraprak të hetuesve, gjatë përplasjes në nënkalimin e stacionit, shtetasi maroken dyshohet se kërcënoi fillimisht 22-vjeçarin me një thikë të madhe kuzhine.

Grindja vijoi më pas në një zonë tjetër të qytetit. Në parkimin e bulevardit Vittorio Veneto, pranë xhamisë, shqiptari dyshohet se ndoqi 35-vjeçarin, këtë herë duke mbajtur dy thika.

Gjatë sulmit, viktima u godit në krah dhe në pjesën e mesme të shpinës, duke marrë plagë të rënda. Ai u transportua për trajtim mjekësor, ndërsa autoritetet italiane vijojnë hetimet për të rindërtuar të gjithë dinamikën e ngjarjes dhe për të verifikuar motivin e saj.