Kryeministri Edi Rama ka reaguar pasi Gjykata Kushtetuese ka shtyrë dhënien e vendimit për kërkesën e gjyqtarëve, për rritjen e pagave të tyre.
Në rrjetin social “X”, Rama shkruan se janë 92 raste ku gjykatat kanë dhënë vendime pro gjyqtarëve që janë shkarkuar nga vettingu për shkelje. Për këtë arsye, Rama shton se janë përdorur 12 milionë euro nga buxheti i shtetit për të dëmshpërblyer këta gjyqtarë. Më tej, kryeministri shprehet se ata po trajtohen si viktima, ndërkohë që janë fajtorë.
“A e dini se gjykatat kanë dhënë deri më tani 92 raste në favor të llumit të pastruar nga vetingu, duke u dhënë një trajtim financiar prej rreth 12 milionë eurosh nga buxheti i shtetit, pra duke i trajtuar jo si fajtorë, po si viktima që duhen dëmshpërblyer?! Akoma më keq, këto vendime gjykatash janë dhënë me urdhër ekzekutimi, pa marrë vendimi formë të prerë (në Gjykatën Administrative të Apelit), duke e detyruar ISSH-në që nga fondi i pensioneve të kryejë pagesat për shkak të vendimit me ekzekutim! Dhe ndërkohë, radha për të marrë lekë nga taksat vazhdon edhe përtej këtij numrit 92, që do të thotë se ato 12 milionët mund të shkojnë shumë më tepër… Kjo quhet pavarësi e papërgjegjshme!”- shkruan Rama.



