Ambasadori i BE, Silvio Gonzato tha se Bashkimi Evropian do të vazhdojë të mbështesë drejtësinë në Shqipëri.

Në konferencën mbi sigurinë juridike, qartësinë dhe zbatimin koherent të ligjit në Shqipëri, diplomati evropian u shpreh se gjykatësit kanë një numër të lartë çështjesh dhe kjo, tha ai, është e vështirë të prodhojë cilësi. Ambasadori deklaroi se duhen më shumë gjyqtarë e prokurorë, të mbështetur nga asistentë ligjorë.

“Drejtësia është shumë e rëndësishme për të gjithë qytetarët shqiptarë. Ne do mbështesim gjithmonë drejtësinë në Shqipëri. Gjykatësit kanë një numër të lartë çështjesh dhe e di se kjo është e vështirë të prodhojë cilësi. Na duhen më shumë gjyqtarë e prokurorë, të mbështetur nga asistentë ligjorë. Të gjitha vendet bosh duhet të plotësohen. Nuk kemi kohë për të humbur. Këshilltarët ligjorë janë tepër të rëndësishëm që drejtësia të jetë më cilësore. Kjo është thelbësore për reformën në drejtësi”, tha ambasadori.

Po ashtu, Gonzato deklaroi se duhet garanci për qytetarët e vendeve të BE që duan të investojnë në Shqipëri.

“Në të ardhmen e afërt qytetarët e BE mund të duan të krijojnë biznese në Shqipëri, mund të duan të blejnë tokë në Shqipëri, ata presin që Shqipëria të ofrojë garanci si çdo shtet anëtar i BE. Kjo do të thotë se ju duhet të jeni të familjarizuar me rregullat e BE. Kjo përben një sfidë shtesë në një situatë të vështirë dhe komplekse. Kështu që projekti ynë BE për drejtësinë do të angazhohet me ju për këto çështje.”- tha ai.