Pas katër ditësh ndjekjeje, policia ka vënë në pranga një 28-vjeçar kolumbian, i cili ishte shpallur në kërkim si pjesë e grupit që rekrutonte vajza nga Amerika Latine për t’i shfrytëzuar për prostitucion në Shqipëri.

Arrestimi i tij u bë në pikën kufitare të Muriqanit, në vijim të operacionit të koduar “Storm 9”, që po zbardh detaje të reja mbi veprimtarinë e këtij rrjeti kriminal.

Sipas të dhënave zyrtare, Duvan Gomez, 28 vjeç, u kap pas një bashkëpunimi mes strukturave të DVP Durrës dhe Policisë Kufitare të Muriqanit, ndërsa ndaj tij rëndojnë akuzat për “Trafikim të personave të rritur” dhe “Shfrytëzim prostitucioni”. Hetimet kanë zbuluar se ky shtetas rekrutonte gra kolumbiane, duke u premtuar punësim në Shqipëri kundrejt një pagese prej 3000 eurosh, por pasi ato mbërrinin në vend, i detyronte të ushtronin prostitucion.

Gjatë kontrollit, policia sekuestroi tre aparate celularë, që dyshohet se përdoreshin për komunikim dhe organizimin e veprimtarisë kriminale.Operacioni “Storm 9”, i zhvilluar pas 3 javësh hetime me metoda proaktive, kishte çuar më herët në identifikimin e disa personave të përfshirë dhe në zbulimin e një apartamenti me qira në lagjen nr. 18 të Durrësit, ku dy shtetase kolumbiane ushtronin prostitucion dhe shisnin lëndë narkotike.

Burime nga policia bëjnë me dije se po vijojnë hetimet për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë rrjet ndërkombëtar, që dyshohet se ka vepruar edhe në vende të tjera të rajonit.
Materialet procedurale i janë kaluar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme hetimore në ngarkim të të arrestuarit.

Durrës

Vijon operacioni i koduar “Storm 9”, i zhvilluar 4 ditë më parë, për goditjen e veprimtarisë kriminale të trafikimit të femrave, me qëllim shfrytëzimin për prostitucion.

Kapet dhe vihet në pranga 28-vjeçari, shtetas kolumbian, i shpallur në kërkim në kuadër të këtij operacioni. Ky shtetas dyshohet se rekrutonte shtetase kolumbiane dhe i sillte në Shqipëri, duke i premtuar punësim kundrejt pagesës 3000 euro, por i shfrytëzonte për prostitucion.

Sekuestrohen 3 celularë që ai dyshohet se i përdorte për këtë veprimtari kriminale.

Si rezultat i punës intensive të kryer nga strukturat e DVP Durrës, në vijim të operacionit të koduar “Storm 9”, i zhvilluar 4 ditë më parë, pas 3 javësh hetime me metoda proaktive, për goditjen e veprimtarisë kriminale të trafikimit të femrave, me qëllim shfrytëzimin për prostitucion, si dhe i bashkëpunimit me shërbimet e Policisë Kufitare Muriqan, u bë e munduar kapja në PKK Muriqan dhe ndalimi i shtetasit kolumbian të shpallur në kërkim në kuadër të këtij operacioni:

D. G., 28 vjeç, për veprat penale “Trafikimi i personave të rritur” dhe “Shfrytëzimi i prostitucionit”.

Nga hetimet dyshohet se ky shtetas rekrutonte shtetase kolumbiane dhe i sillte në Shqipëri, duke i premtuar punësim kundrejt pagesës 3000 euro, por i shfrytëzonte për prostitucion.
2 shtetase kolumbiane u kapën nga shërbimet e Policisë, gjatë operacionit, në një apartament të marrë me qira, në lagjen nr. 18, Durrës, ku ushtronin prostitucion dhe shitnin lëndë narkotike.

Materialet procedurale i kaluan Pokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës se Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.