Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar në gjyq tre shtetas, të identifikuar me inicialet K.S., F.K. dhe E.A., të akuzuar për veprat penale “Mashtrimi kompjuterik” dhe “Moskallëzim krimi”.
Sipas Prokurorisë, hetimet nisën pas informacioneve të siguruara në rrugë operative se në një ambient në zonën e Selitës ushtrohej aktivitet i paligjshëm në formën e një call center-i. Gjatë kontrolleve të kryera, në ambientet e përshtatura si zyra u konstatuan të akuzuarit dhe disa persona të tjerë që ushtronin aktivitetin.
Nga hetimet ka rezultuar se K.S. dhe F.K. rekrutonin punonjësit dhe i trajnonin për mënyrën e funksionimit të skemës. Ata udhëzoheshin të kontaktonin shtetas të huaj, të cilëve u premtohej rikuperimi i parave të humbura nga investime apo mashtrime të mëparshme, përmes një skeme të njohur si “Recovery”.
Sipas dosjes hetimore, agjentët mblidhnin informacione mbi humbjet financiare të klientëve, mënyrën se si kishin humbur paratë dhe kompanitë me të cilat kishin bashkëpunuar. Më pas, viktimave u caktohej një takim me të ashtuquajturit “ekspertë”, ndërsa komunikimi vijonte nga K.S. dhe F.K.
Në përfundim të hetimeve, Prokuroria ka dërguar në gjyq K.S. dhe F.K. për veprën penale “Mashtrimi kompjuterik”, ndërsa E.A. për akuzën e “Moskallëzimit të krimit”.
