Deputetët e Kuvendit të Shqipërisë do të mbajnë nesër një minutë heshtje në nderim të gjyqtarit të Apelit, Astrit Kalaja, i cili u vra në sallën e gjyqit më 6 tetor. Propozimi u bë nga kryetari i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla, gjatë mbledhjes së Konferencës së Kryetarëve.

Por opozita kërkon më shumë se një akt simbolik.

Kreu i grupit të Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, ka kërkuar që Kuvendi të zhvillojë një debat të posaçëm për çështjen e sigurisë në institucionet e drejtësisë. Ai e cilësoi vrasjen e gjyqtarit Kalaja si një “akt terrorist” dhe “alarm kombëtar” për sigurinë e jetës në vend.

“Kuvendi nuk mund të mblidhet vetëm për të miratuar procesverbale. Akti terrorist i ekzekutimit të gjyqtarit Astrit Kalaja është alarm kombëtar për sigurinë e jetës. Krimi ka marrë yrysh, shqiptarët janë më të pasigurt se kurrë,” tha Blushi.

Ai kritikoi edhe reagimin e vonuar të institucioneve të drejtësisë, duke përmendur se Këshilli i Lartë Gjyqësor publikoi paralajmërimet për sigurinë vetëm pasi ndodhi ngjarja tragjike.

Ndërkohë, Partia Demokratike ka propozuar që gjyqtari Astrit Kalaja të shpallet “Dëshmor i Atdheut”, duke kërkuar që institucionet kompetente të nisin menjëherë procedurat për këtë titull nderi.