Rritja e çmimit të naftës për shkak të luftës në Lindjen e Mesme, ishte një nga pikat në të cilat kreu i qeverisë Edi Rama u ndal, gjatë diskutimeve në Asamblenë e PS në njësinë 4 në Tiranë.
Sipas Ramës rritja e çmimit të naftës është si pasojë e krizës në të gjithë botën për shkak të luftës, por që në tablonë e gjerë nuk shihet vetëm si efekt i krizës. Rama kujtoi edhe një herë se do të ngrihet një kompanie publike nafte për të garantuar qytetarët që të paguajnë aq sa u takon.
“Detyra jonë është të qeverisim por edhe të informojmë. Sot kemi problem naftën që është goditur në çmim nga kriza, por është problem edhe përtej krizës. Kjo na gjen në kohën kur ne kishim filluar në fakt që do të hynim në tregun e naftës me një faktor shtetëror, me një kompani publike, për të garantuar që qytetarët nuk detyrohen të paguajnë më shumë sesa u takon.
Ligji është në konsultim për rezervën që duhet të mbajë shteti. Brenda dy muaj do nxjerrim një tjetër ngjyrues që është i pa manipulueshëm për të formalizuar tregun e naftës. Ka një sasi nafte që është jashtë radarëve të shtetit. Tjetra që ndodh me naftën është naftë tranzit dhe mbetet në Shqipëri në mënyrë ilegale”, tha Rama.



