Sekretariati për Procedurat, Votimet dhe Etikën në Kuvend ka vendosur përjashtimin për 10 ditë nga punimet parlamentare të dy deputetëve të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi dhe Fidel Krekës, pas përplasjeve të fundit në seancat plenare.
Vendimi ka sjellë reagime të forta nga opozita, ndërsa kryetari i PD-së, Sali Berisha, gjatë një deklarate për mediat, paralajmëroi përshkallëzim të qëndrimit opozitar. Ai e konsideroi masën si pjesë të një fushate për të shtypur pluralizmin politik në vend dhe njoftoi se opozita do të kalojë në një linjë përballjeje të hapur me qeverinë.
“Opozita e ka shumë të qartë se me këtë qeveri, që ka shndërruar procesin zgjedhor në farsë elektorale, ka vetëm luftë frontale me të gjitha format në Parlament dhe jashtë tij,” tha Berisha. “Do t’i përgjigjemi ‘dhëmbë për dhëmbë’ kësaj përpjekjeje për të shtypur pluralizmin në Shqipëri,” shtoi ai.
Reagimi vjen në një moment tensioni të shtuar politik, ku opozita ka shtuar akuzat ndaj mazhorancës për kapje të institucioneve dhe shkelje të rregullores parlamentare, ndërsa paralelisht po diskuton forma të reja proteste dhe mobilizimi qytetar.