Në emisionin “Shqipëria Live”, avokati Redi Ramaj diskutoi rastin tragjik të Martin Canit, një ngjarje që tronditi vendin dhe ka ngritur shqetësime të thella mbi sigurinë në shkolla. Pas dënimit me 16 vite burg për vrasësin e tij, Ramaj theksoi nevojën për të bërë drejtësi dhe për të marrë masa konkrete për të parandaluar ngjarje të tilla. Ai kritikoi mungesën e përgjegjësisë nga ana e institucioneve, duke theksuar se shoqëria ka dështuar në mbrojtjen e fëmijëve dhe se rastet e tilla duhet të kenë një përgjigje më të fortë nga autoritetet.

“Pavarësisht dënimit përfundimtar me 16 vite, nuk kishin rëndësi për ne vitet, e rëndësishme është të bëhet drejtësi dhe të jepet mesazhi i qartë që drejtësia funksionon. Njerëzit janë më të pambrojturit. Rastet më të fundit tregojnë se i kemi lënë fëmijët në mëshirë të fatit. Jemi në kushtet ku kemi gjetur një formë drejtësie. Ministria e Arsimit duhet të kishte deklaratë të vazhdueshme rreth kësaj ngjarjeje, por nuk ka ndodhur. Duhet të ishin marrë masa rreth futjes së sendeve të paligjshme nëpër shkolla. Ju e thatë kemi pasur pengesa të mëdha. Shkolla nuk e ka raportuar ngjarjen për të mbrojtur emrin e shkollës, është për të vënë duart në kokë. Ata nuk kërkuan as ndjesë, nuk mbajnë përgjegjësitë e veta, e shmangën këtë ngjarje e bënë sikur s’ka ndodhur gjë. Kjo sjell ngjarje të tjera që tashmë janë të përsëritura. Ne kemi dështuar si shoqëri me këtë rast. Do të kemi tjetër përballje në Gjykatën e Apelit. Do të ndjekim rrugën civile të dëmshpërblimit, dhe dëmshpërblimit të të gjitha institucioneve që janë përgjegjëse për vrasjen e Martin Canit”, tha avokati Redi Ramaj.