Deputetja e pavarur Marjana Koçeku, e larguar më herët nga Partia Socialiste, ka reaguar publikisht kundër Paketës së Maleve, duke u bërë thirrje banorëve të zonave të Shalës, Shoshit dhe Pultit që të mos e pranojnë nismën e propozuar nga qeveria.
Reagimi i saj vjen vetëm pak ditë pasi kryeministri Edi Rama zhvilloi një takim në Theth, ku prezantoi dhe mbrojti projektin, duke e cilësuar atë si një mundësi për zhvillimin ekonomik të zonave malore.
Në një mesazh të publikuar në rrjetet sociale, Koçeku, e njohur edhe si “Neomalësorja”, shprehet se Paketa e Maleve nuk garanton zhvillimin e komuniteteve, por, sipas saj, rrezikon t’u heqë banorëve kontrollin mbi pronat e trashëguara.
Deputetja paralajmëron se banorët nuk duhet të joshen nga premtimet për investime pa u zgjidhur më parë çështja e pronësisë, duke argumentuar se askush nuk mund të flasë për zhvillim, nëse pronarët humbasin të drejtën për të vendosur mbi tokat e tyre.
“Nëse doni të mbeteni shërbyes e lypës në tokat tuaja, atëherë pranojeni Paketën e Maleve. Por malet tona nuk futen në asnjë paketë. Treva jonë ka ruajtur identitetin e saj ndër shekuj, nuk është pushtuar dhe nuk është shitur. Pushtimet nuk vijnë gjithmonë me të njëjtën fytyrë, por shpesh fshihen pas maskave të reja”, shkruan Koçeku.
Në vijim të reagimit, ajo u kërkon banorëve të kërkojnë fillimisht njohjen e pronës së tyre dhe të drejtën për të vendosur vetë mbi përdorimin e saj, duke theksuar se zhvillimi nuk mund të ndërtohet mbi humbjen e pronës.
“Para se të besoni çdo premtim për zhvillim, kërkoni atë që ju është mohuar deri më sot: pronën tuaj dhe të drejtën për të vendosur vetë mbi të. Një zhvillim që ju largon nga toka dhe ju kthen në vartës të të tjerëve nuk mund të quhet zhvillim”, shprehet deputetja në mesazhin e saj.
Deklaratat e Koçekut vijnë në një moment kur Paketa e Maleve ka hapur debat publik, me qeverinë që e konsideron një instrument për nxitjen e investimeve në zonat malore, ndërsa kritikët e saj shprehin shqetësime për ndikimin që mund të ketë mbi pronësinë dhe të drejtat e banorëve vendas.
Reagimi i plote:
Të dashtun banorë të Shalës, Shoshit e Pultit,
Përfshimja e zonave tueja në Paketën e Maleve, siç asht ba e ditun këto ditë, nuk asht shpëtimi i atyne trojeve, por fillimi i nji tjetërsimi që pasojat ka me i pasë aq negative sa ju s’keni me mujtë ma me i kontrollue ato toka.
Nëse doni me qenë shërbyes e lypsarë n’tokat tueja, atëherë pranojeni hak Paketën e Maleve, por di me ju thanë se malet tona nuk futen në paketë, dhe se treva jonë ka ditë me e ruejtë identitetin e vet për shekuj me radhë. As nuk asht pushtu e as nuk asht shitë. Dhe ju duhet me e pasë parasysh, secili prej jush, se pushtimet gjithmonë kanë ardhë me maska të reja, që ju të mos i njihni.
Unë e di se, çfarëdo çmimi që ata munden me ju ofru, ju nuk i lëshoni tokat e t’parëve, qoftë edhe veç për faktin pse janë t’parëve… se malsori ka qenë dhe asht zot n’tokë t’vet. Por tash e vetmja mënyrë me jua marrë, asht tu spekulu përmes ligjit me pretekstin se ju do mundeni ma n’fund me i zhvillue ato toka, a ndërkohë nuk keni as tituj pronësie, as rrugë, as energji e as kushtet e nji infrastrukture që jua siguron nji gram jetë të mirë. S’keni ditë kurrë me i kërkue ato kushte!
Kështu që para se me pranue çfarëdolloj premtimi për “zhvillim”, kërkojeni njiherë atë çka ju asht mohue deri tash: pronën tuej, dhe të drejtën me vendosë vetë se çka bahet me pronën tuej. Zhvillimi që ju nxjerr prej tokës e ju kthen në vasalë e shërbëtorë të dikujt tjetër, nuk ka si me u quejtë zhvillim, përndryshe ju do ishit “zhvillue” me kohë.
