Një ngjarje e pazakontë ka ndodhur mbrëmjen e së mërkurës në Shkodër, ku dy efektivë policie janë përfshirë në një konflikt të ashpër fizik dhe verbal, duke u shoqëruar më pas në polici.

Altin Preka, efektiv i patrullës “Shqiponja”, dhe Albert Kapaj, pjesëtar i FNSH-së por jashtë shërbimit në momentin e incidentit, kanë nisur një debat që ka degjeneruar në përplasje fizike dhe kërcënime serioze për jetën.

Konflikti ka rrënjë të vjetra personale, që datojnë nga koha kur të dy punonin bashkë në Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë (FNSH).

Ngjarja ka ndodhur kur Kapaj, i shoqëruar nga vëllai i tij, është ndaluar nga patrulla e “Shqiponjave” në hyrje të qytetit. Sapo është ndaluar, ka nisur një shkëmbim fjalësh të ashpra mes tij dhe efektivëve, veçanërisht me Altin Prekën.

Debati ka përshkallëzuar në një konfrontim fizik, ku më pas janë lëshuar edhe kërcënime për jetë mes palëve.

Ndërhyrja e kolegëve të tjerë në vendngjarje ka parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm të situatës, duke bërë të mundur shoqërimin e të dy efektivëve në Komisariat dhe më pas në Prokurori për të dhënë shpjegime mbi konfliktin.