Ministri i Jashtëm i Serbisë, Marko Gjuriç, ka njoftuar se Beogradi dhe Tirana kanë arritur një marrëveshje në parim për hapjen e zyrave konsullore në Shkodër dhe Bujanoc.

Në një intervistë për Radio Beogradin, Gjuriç tha se ka zhvilluar një takim me ministrin e ri për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Ferit Hoxha, të cilin e cilësoi konstruktiv dhe produktiv.

“Jam i kënaqur që pata bisedime kaq të mira me ministrin e ri të Jashtëm të Shqipërisë, Ferit Hoxha, me të cilin arritëm një marrëveshje në parim për të hapur zyra konsullore në Shkodër dhe Bujanoc”, deklaroi ai.

Sipas Gjuriç, nisma synon të forcojë praninë konsullore dhe të lehtësojë shërbimet për qytetarët në të dyja vendet. Deri më tani, autoritetet shqiptare nuk kanë dalë me një deklaratë zyrtare lidhur me marrëveshjen e përmendur nga ministri serb.