Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në konferencën e tij të përjavshme, ka folur mbi mundësinë e bashkëpunimit me Partinë e Lirisë për zgjedhjet e 11 majit. Berisha ka deklaruar se PD është e hapur për koalicion dhe se diskutimet mbi ndarjen e vendeve të sigurta do të jenë pjesë e negociatave mes dy partive. Berisha gjithashtu ka shpallur kandidaturën e tij për kryeministër në këto zgjedhje. Sipas tij, nëse PD fiton, posti i kryeministrit do të vendoset me votë nga demokratët.
Ndërkohë, Berisha ka ftuar sërish kryeministrin Edi Rama në një debat televiziv, duke e akuzuar këtë të fundit se i shmanget përballjes.
Berisha: Kjo vetëkuptohet. Është afërmendsh, nuk ka diskutim. Pasi të fitoj zgjedhjet do të hapim një votim për kryeministër, kush të dojë të sfidojë Sali Berishën. Kur hapet gara, hapet nga opozita jo nga PS. Kush të dojë.
Berisha fton sërish ramën në debat televiziv: Unë kurrë nuk ndjek veprimet e kundërshtarit, përveçse një fakti, unë e kam ftuar atë që të vijë të përballemi në një studio televizive. Ai nuk ia mban, ka frikë nga vetja e tij dhe e di që del nga ai emision në mënyrë figurative “lakuriq”, me ato që do t’u faktoj shqiptarëve për bëmat e tij dhe kjo është arsyeja që ai nuk mund të dalë. Ai ka probleme edhe me memorien. Ju kujtohet kur shkruante në dorë dhe e shihte si nxënës i klasës së I apo III. I kam thënë hajde edhe me sufler, merri me vete, por hajde të përballemi se e kërkon rregulli, e kërkojnë shqiptarët. Duhet të na shohin përballë njëri tjetrit.