Pas arrestimit të Gjovalin Shkambit për deklaratat kërcënuese të bëra një ditë pas masakrës në Gjykatën e Apelit, ku mbeti i vrarë gjyqtari Astrit Kalaja, vjen reagimi i familjes së tij.
Në një deklaratë publike, familja Shkambi i ka shprehur fillimisht ngushëllimet e thella familjes së gjyqtarit Kalaja, ndërsa distancohet nga fjalët e Gjovalinit, duke i cilësuar si një shpërthim emocional i çastit.
Sipas familjarëve, deklarata është bërë në kushte tensioni ekstrem dhe në një gjendje gjaknxehtësie pas ngjarjes tragjike ku nipi i Gjovalinit, Elvis Shkambi, vrau gjyqtarin Kalaja dhe plagosi dy persona të tjerë me të cilët ishte në proces gjyqësor.
Gjovalin Shkambi u arrestua menjëherë pas daljes së deklaratave të tij publike, ku kërcënonte edhe gjyqtarë të tjerë me të njëjtin fat si Kalaja. Autoritetet po vijojnë hetimet për të sqaruar çdo rrethanë lidhur me ngjarjen e rëndë dhe çdo deklaratë që mund të përbëjë rrezik për sigurinë e institucioneve gjyqësore.
Mesazhi i familjes së Gjovalin Shkambit
E nisim këtë mesazh duke shprehur ngushëllimet më të sinqerta ndaj familjes së gjyqtarit të ndjerë!
Shprehim keqardhje të thellë për gjithë situatën e krijuar pas deklaratave të babait tonë.
Kërkojmë publikisht ndjesë për fjalët e thëna prej tij, të cilat, siç ka pranuar edhe vetë, janë shprehur në një moment gjaknxehtësie dhe tronditjeje të madhe.
Pavarësisht se drejtësia deri më tani nuk ka arritur ende të vendosë pikën përfundimtare mbi këtë çështje, ne nuk duam në asnjë mënyrë të përdorim gjuhë urrejtjeje ndaj personave që ushtrojnë detyrën e tyre dhe respektojmë proceset ligjore që po zhvillohen.
Jemi plotësisht të vetëdijshëm se kërcënimet nuk mund të justifikohen në asnjë rrethanë, por kërkojmë mirëkuptim për gjendjen e rënduar emocionale dhe psikologjike në të cilën ndodhej babai ynë në ato momente.
Ne si familjarë e kuptojmë plotësisht madhësinë dhe ndjeshmërinë e kësaj ngjarjeje, por kërkojmë me mirëkuptim që mediat të shmangin sa më shumë përfshirjen në jetën tonë familjare, pasi babai jone është marrë në pyetje dhe është publikuar në momente jashtëzakonisht të vështira dhe në gjendje të rënduar psikologjike.
Urojmë që drejtësia dhe qetësia të mbizotërojnë, dhe Zoti të bëjë atë që është më e mira për të gjithë!
Me respekt,
Familja e Gjovalin Shkambi