Kreu i Kryegjyshatës Botërore Bektashiane, Baba Mondi, ka shprehur ngushëllimet e tij të sinqerta për ndarjen nga jeta të Papa Françeskut, duke e cilësuar atë si një figurë të jashtëzakonshme të vëllazërisë dhe bashkëjetesës ndërfetare.
Në një deklaratë publike nga Ambasada e Vatikanit në Tiranë, Baba Mondi vlerësoi lart kontributin e Papës në nxitjen e paqes dhe dialogut mes besimeve:
“Me shumë dashuri vlerësoi punën tonë që bëjmë për bashkëjetesën vëllazërore në Shqipëri dhe që rinia shqiptare iu kthye besimit menjëherë pas kthimit të demokracisë.”
Ai kujtoi gjithashtu takimet dhe bashkëpunimin me Papën, përfshirë pjesëmarrjen në marshimin kundër dhunës pas sulmit ndaj “Charlie Hebdo” dhe mbështetjen për marrëveshjen e Abu Dhabit për vëllazërinë njerëzore.
“Edhe pse në gjendje të rënduar shëndetësore, na priti me ngrohtësi e respekt. Zoti e ndriçoftë për punën e bërë dhe vepra e tij të vijojë nga pasardhësi i tij. U prehtë në paqe,” tha Baba Mondi, duke theksuar se do të marrë pjesë në ceremoninë e lamtumirës.
Ky mesazh vjen si dëshmi e respektit dhe lidhjes së fortë ndërfetare mes komuniteteve në Shqipëri dhe më gjerë, ndërsa bota i jep lamtumirën njërit prej figurave më të dashura të Kishës Katolike.
