Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky ka akuzuar sërish Moskën të shtunën për sulme në infrastrukturën civile ukrainase, pasi më shumë se 650 dronë dhe 51 raketa kanë shkaktuar dëme në njerëz dhe objekte përgjatë natës.

“Shënjestrat kryesore të këtyre sulmeve ishin objektet e energjisë. Synimi i Rusisë është që t’i dërrmojë miliona ukrainas, teksa shkon në nivel aq të ulët, duke nisur sulme raketore në qytetet paqësore në Ditën e Shën Nikolasit”-, ka thënë ai duke iu referuar 6 dhjetorit, nisjes së periudhës së Krishtlindjes, datë që simbolizon edhe Ditën e Ushtrisë së Ukrainës.  

Zelensky e ka përsëritur thirrjen e tij për më shumë presion ndaj Rusisë që t’i japë fund luftës së nisur në shkurt të vitit 2022.

“Ndërtesa kryesore e stacionit hekurudhor në qytezën Fastiv afër Kievit është djegur e gjitha. Sulmi ka qenë pa asnjë kuptim nga aspekti ushtarak”-, ka thënë presidenti ukrainas.

Sipas tij, edhe rajonet e Dnjipros, Zaporizhjas, Odesas, Lvivit dhe Mikollaivit, janë prekur nga sulmet. Komanda Qendrore e ushtrisë së Polonisë i ka aktivizuar sistemet për mbrojtje, si pasojë e këtyre sulmeve. Ministri i Brendshëm ukrainas, Ihor Klymenko, ka shkruar në Telegram se është raportuar për të paktën tetë viktima në Ukrainë, nga tri në rajonet e Kievit dhe Dnjipropetrovskut dhe dy në rajonin e Lvivit. Probleme me rrymë ka në shumicën e territorit të Ukrainës, për shkak të sulmeve.