Kryeministri Edi Rama ka theksuar se një nga sfidat më të mëdha për Shqipërinë mbeten zjarret gjatë sezonit të verës.
Gjatë një deklarate për mediat, Rama ka theksuar se, edhe pse ende askush nuk ka gjetur një zgjidhje përfundimtare ndaj zjarreve, është e nevojshme që kapacitetet për mbrojtjen e pyjeve dhe parandalimin e zjarreve të forcohen.
Ai shtoi se një pjesë e rëndësishme e këtij angazhimi është rritja e financimeve në sektorin e mbrojtjes dhe ripyllëzimit, si dhe forcimi i infrastrukturës dhe trajnimit të forcave të zjarrfikësve.
“Sot kemi një menaxhim të fragmentuar, kemi modele që nuk janë koherente me njëra tjetrën. Vendosja e një sistemi kombëtar menaxhimi, është një tjetër aspekt që besoj se do të na garantojë kjo reformë që ka nisur të konceptohet në Ministrinë e Mjedisit. Jemi në një tjetër sfidë të madhe dhe e shohim gjatë sezonit të verës kur temperaturat rriten shumë, sfida e madhe e zjarreve. Për këtë arsyeje, nevoja që të ndërhyjmë me shumë kurajo në aspektin e reformës dhe me shumë angazhim për vëmendjen, sa i përket pyjeve, është çdo vit dhe më e madhe. Rritja e kapaciteteve tona për pyllëzim, është çdo vit dhe më e madhe. Askush nuk i ka gjetur ndonjë ilaç zjarreve, që kur vijnë bëjnë dëme dhe kolosale, por nuk mund të qëndrojmë duke përsëritur të njëjtën gjë, sado të jetë rezultative në periudha të mëparshme. Vitin që vjen do të rrisim dhe financimet dhe intensitetin e pyllëzimeve. Sipas metra katorëve që ndërtojnë, do të kontribuojnë në shtimin e fondit të gjelbër.”, tha ai.
