Një ngjarje e rëndë është regjistruar mbrëmjen e së premtes në zonën e Qerretit, në Durrës, ku një  burrë dyshohet se ka kërcënuar me thikë vajzën e tij dhe më pas ka dëmtuar veten.

Sipas burimeve paraprake, Ardian Varrosi, i cili dyshohet se ishte në gjendje të dehur, ka kërcënuar të bijën me thikë, ndërsa më herët raportohet se kishte ushtruar dhunë ndaj saj. Vajza ka arritur të largohet nga banesa dhe ka kërkuar ndihmë tek fqinjët.

Këta të fundit kanë ndërhyrë menjëherë, ndërsa situata ka mbetur e tensionuar deri në mbërritjen e policisë. Në vendngjarje kanë shkuar dy patrulla, të cilat kanë bërë të mundur neutralizimin e situatës dhe shmangien e përshkallëzimit të mëtejshëm.

Në momentin e ndërhyrjes së efektivëve, burri dyshohet se ka dëmtuar veten me mjet prerës dhe është transportuar me urgjencë drejt spitalit të Durrësit, ku po merr ndihmë mjekësore. Sipas burimeve spitalore, gjendja e tij po mbahet nën monitorim.

Policia ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes. Janë marrë në pyetje familjarë dhe persona që kanë qenë të pranishëm, ndërsa pritet që pas stabilizimit të gjendjes shëndetësore, të merret dëshmia edhe e të dyshuarit.