Dëshmi të reja kanë zbardhur detaje tronditëse nga ditët para vrasjes së një 45-vjeçareje në Athinë, ku autor i dyshuar është 50-vjeçari shqiptar Altin Allmuça, i cili më pas i dha fund edhe jetës së tij.

Sipas mediave greke, Allmuça dyshohet se e kishte ndjekur vazhdimisht viktimën pas përfundimit të marrëdhënies mes tyre dhe e kishte kërcënuar edhe me armë.

Një familjare e 45-vjeçares ka treguar se ai dyshohet se i kishte dërguar një fotografi me armë, shoqëruar me kërcënimin: “Do të vras veten dhe do të të vras ty”. Të afërmit e kishin këshilluar gruan që ta denonconte në polici.

45-vjeçarja kishte vendosur t’i jepte fund lidhjes pasi mësoi se 50-vjeçari ishte i martuar dhe kishte një vajzë 19-vjeçare. Pas ndarjes, sipas dëshmive, sjellja e tij u bë gjithnjë e më agresive.

Detaji më tronditës lidhet me orët para krimit. Sipas një miku të afërt të Allmuçës, ai u takua me vajzën e tij dhe i tha se mund të mos e shihte më.

“Mund të mos më shohësh më. Do të jetë hera e fundit që më sheh”, mësohet t’i ketë thënë ai vajzës.

Më pas, ai u kthye në banesë, zgjoi bashkëshorten, i la para dhe i kërkoi të kujdesej për vajzën e tyre.

Pak më vonë, 50-vjeçari shkoi pranë pallatit ku jetonte 45-vjeçarja dhe priti derisa ajo të dilte. Sipas raportimeve, ai e qëlloi për vdekje dhe më pas vrau edhe veten.

Një banor i zonës ka rrëfyer se dëgjoi fillimisht britmën e një gruaje dhe më pas të shtënat. Në total, sipas dëshmisë së tij, u dëgjuan katër të shtëna.

Të afërmit e viktimës kanë deklaruar se ajo kishte frikë nga sjellja e 50-vjeçarit dhe kishte marrë masa për t’u mbrojtur, përfshirë ndryshimin e bravave të banesës.

Edhe vajza e 45-vjeçares ka dëshmuar se nëna e saj ishte e shqetësuar për sjelljen e Allmuçës, të cilin e përshkruante si tepër xheloz dhe problematik.

Ndërkohë, vajza e autorit ka reaguar për ngjarjen, duke thënë se është e tronditur nga ajo që ka bërë babai i saj.

Ajo është shprehur se e konsideron veten dhe vajzën e viktimës si viktima të kësaj tragjedie, duke kërkuar që historia të mbyllet këtu dhe të dyja familjet të mund të përballojnë dhimbjen e tyre.