Ngjarje të rënda me sfond hakmarrjeje po trondisin qytetin e Sarandës. Isuf Jaçaj, 58 vjeç, u vra mbrëmjen e 5 tetorit pas një shpërthimi me tritol në lagjen nr.3 të qytetit. Viktima ishte babai i Klaus Jaçajt, 31 vjeç, i cili ndodhet aktualisht në burg me akuzën “përkrahje e autorit të krimit”, pas një plagosjeje të ndodhur në korrik të këtij viti.
Ngjarja lidhet me konfliktin për një pronë në bregdet, i cili kulmoi më 17 korrik 2025, kur në lagjen nr.4 të Sarandës, Ramadan Zoto (alias Canaj) plagosi me armë zjarri Gëzim Hajdarajn dhe Ernest Lamën nga Kamza. Menjëherë pas plagosjes, Klaus Jaçaj së bashku me dy persona të tjerë, Erjon Canaj dhe Artan Murataj, u shpallën në kërkim si ndihmës të autorit për t’i shpëtuar arrestimit.
Burimet bëjnë me dije se Klaus Jaçaj ka strehuar autorin e plagosjes në shtëpinë e tij, për ta mbrojtur nga hakmarrja e palës kundërshtare. Më pas, Ramadan Canaj tentoi të largohej drejt Greqisë përmes Korçës, por u arrestua nga policia teksa mbante një pistoletë me fishek në fole.
Tronditës mbetet fakti që babai i Klausit, Isuf Jaçaj, ishte përpjekur të bindte të birin që të dorëzohej në polici, vetëm pak para se të ndodhte shpërthimi fatal.
“Duhet të dorëzohesh vetë në polici për përkrahjen e autorit të krimit, në të kundërt do të vijë unë të gjej ku je fshehur dhe të dorëzoj në polici me duart e mija, keni plagosur dy të rinj kupton?” Kalus Jaçaj ndihmoi autorin e plagosjes të fshihej në shtëpinë e tij më pas i mundësoi largimin drejtë Korçës, pas këtyre veprimeve katër ditë më pas në 22 korrik, Klaus Jaçajt i hodhën makinën në erë me eksploziv. Grupi kriminal që fshihej pas dy të rinjve të plagosur Gëzim Hajdaraj dhe Ernest Lamën nga Kamza i vendosën tritol makinës tip BMË në pronësi të Kalus Jacaj, vetëm pak metra larg banesës së tij.
“Dorëzo Ramadan Canaj, autorin e plagosjes në të kundërt do të vrasim ty dhe familjarët e tu” ky ishte kërcënimi që mori Kalus Jaçaj. Hakmarrja nuk do të kursente babain e tij që i vendosën 800 gram eksploziv poshtë makinës duke e lënë të vdekur në vend. Isuf Jacaj pavarësisht se ishte precedent penal në të kaluarën prej shumë vitesh punonte në sektorin e turizmit duke shëtitur turistët në bregdetin e Sarandës.