Sinodi i Shenjtë i Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë do të mblidhet të dielën për të zgjedhur kryepeshkopin e ri, i cili do të zëvendësojë kryepeshkopin e ndjerë, Anastas Janullatos. Zgjedhja do të realizohet në Dielën e Dytë të Kreshmës, pas Liturgjisë Hyjnore, dhe do të përputhet me dispozitat e Statutit të Kishës.
Sipas Sekretares së Sinodit të Shenjtë, procesi i zgjedhjes do të zhvillohet në Qendrën Sinodike dhe është një moment i rëndësishëm për Kishën Ortodokse, pasi do të përcaktojë udhëheqësin e ri të Kishës dhe të besimtarëve ortodoksë në Shqipëri. Sinodi, së bashku me një takim kleriko-laik, do të propozojë emra, dhe më pas, përmes një votimi, do të vendoset kush do të jetë Kryepeshkopi i ardhshëm.
Anastas Janullatos, i cili udhëhoqi Kishën Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë për më shumë se 30 vjet, u shua më 25 janar 2025 pas një beteje të gjatë me sëmundjen. Janullatos u zgjodh Kryepeshkop në Qershor 1992 dhe u fronëzua më 2 Gusht të po atij viti në Kishën Katedrale të Tiranës, duke udhëhequr Kishën Ortodokse për një periudhë të gjatë.
