Emri i Violand Braçellarit del sërish në skenë në hetimet e Prokurorisë së Korçës në vitin 2020. Ai dyshohej sërish për kultivim kanabisi dhe Prokuroria e vuri në përgjim. Prokurori Edmond Shytko, bazuar në kallëzimet e dërguara nga Komisariati i Policisë Maliq, regjistroi procedimin penal dhe më 26 mars 2020 u dha autorizimi për përgjimin e tij. Këto veprime hetimore, në periudhën nga 28 marsi 2020 deri më 13 prill 2020, zbuluan se informacionet ishin të sakta.

Informacioni i datës 15 maj 2020 krijon dyshime se Violandi po studionte terrenin në malin e Bodes për të kultivuar lëndë narkotike, duke vazhduar me informacionin e 8 qershorit 2020, ku dyshohet se Braçellari kishte kultivuar 500 bimë cannabis sativa në lumin që kalon pranë fshatit Shipskë, ku bashkohen dy degët që derdhen në fshatin Gjinikas. Referuar hetimeve, më 24 qershor 2020, në stallat ku dyshohej se jetonte shtetasi Violand Braçellari, po punonin tokën tre shtetas për të përgatitur mbjelljen e bimëve narkotike. Prokuroria urdhëroi kontrolle në stallat ku jetonin nëna dhe babai i tij, si dhe në vendin ku fshihej Violandi, por nuk u gjet asgjë e paligjshme.

Në dosjen e siguruar nga Inside Story për këtë rast, shihen qartë fotografitë e ambientit të stanit, vendit ku mbaheshin bagëtitë dhe përshtatja e sallave për fjetje dhe gatim.

“Personi ka qenë shumë vite në kërkim dhe nuk rezulton të jetë larguar nga Republika e Shqipërisë. Mënyra se si ai kryen procedim pas procedimi, caktohen masa sigurimi, caktohen dënime dhe ato nuk ekzekutohen asnjëherë nga Policia e Shtetit, të çon në dy elementë të rëndësishëm. Ose ka pasur bashkëpunim korruptiv me punonjës të shtetit që janë përgjegjës për kapjen e tij, ose ka pasur një aftësi mbinjerëzore për t’u fshehur para syve të Policisë së Shtetit”, u shpreh ish-prokurori, Eugen Beci.

“Në gjykimin tim, duhet të vlerësojmë saktësisht çdo informacion dhe çdo rast para kryerjes së operacioneve të tilla. Duhet bërë një vlerësim dhe një analizë risku shumë e thellë, me qëllim që të mos çojmë punonjës policie të pakualifikuar dhe të patrajnuar për këto lloj ndërhyrjesh, sepse i merr në qafë”, u shpreh avokati, Gjergj Nikolli.

Kontrollet e ushtruara në banesën e Violand Braçellarit dhe të familjarëve të tij nuk sollën asnjë provë për Prokurorinë. Për këtë arsye, çështja u pushua, pa u ngritur akuzë ndaj të shumëkërkuarit. Gjithsesi, nëse analizohet me kujdes dosja, dalin në pah disa detaje shumë interesante, sidomos sa u përket përgjimeve për mënyrën se si Violand Braçellari terrorizonte banorët e zonës. Ai madje e konsideronte veten të paprekshëm, duke qenë se shteti nuk kishte arritur ta arrestonte, pavarësisht se ishte në kërkim. Megjithatë, kishte edhe dyshime për personat që mund ta informonin për lëvizjet e Prokurorisë dhe Policisë. Përgjimet zbulojnë se ai kërcënonte banorët e zonës.

Violand Braçellari qëndronte me familjen në fshatin Lozhan, në njësinë administrative Maliq. Së fundmi kishte blerë dhe mbarështonte 13 lopë. Tre ditë më parë, Violandi kishte kërcënuar në telefon një person ende të paidentifikuar se do ta vriste nëse do t’i sillte sërish ushqim të mykur për lopët. Banori nga Liboniku kishte rënë dakord t’i çonte ushqim tjetër pa pagesë. Në dosjen hetimore zbulohet se Violandi mbante kontakte edhe me kryeplakun e fshatit, Sabri Braçellari. Ky i fundit jo vetëm që nuk e denonconte, por dyshohet se mund ta ketë ndihmuar të fshihej nga policia ose të kultivonte bimë narkotike. Në një nga përgjimet e Prokurorisë, lidhur me dyshimet për kultivim të lëndëve narkotike, është regjistruar kjo bisedë me interes për hetimin:

Violandi: A të erdhi çobani?

348: Jo, jo.

Violandi: Ai vetëm ato 20 me bar ka.

348: Po dhe sa të duhen?

Violandi: Po duhen bre, mua s’më bëjnë dëm, sa të jenë 50, 100. A ka korrur njeri?

348: Tani po i korrin jonxhet, po duan një javë e ca të thahen. Fola me atë djalin dhe nja 2 mund të ketë dhe më tha me 4500. Po të duash dal nesër dhe pyes të tjerë, të gjej.

Violandi: Po mirë, po ato 20 mos i ka të mykura ai.

348: Jo, se ka shumë ai. Mund të jenë nja 40, po këta që janë të mirë dhe me bar.

Pas bisedës janë kryer kontrolle nga efektivët e policisë, por nuk ka pasur gjetje të kundërligjshme në stanin e tij.

Ndoshta nga përgjimet nuk janë siguruar prova të mjaftueshme sipas organit të akuzës, megjithatë biseda të dyshimta ka pasur, si kjo e datës 13 maj 2020, e zhvilluar në orën 14:17:32.

Violandi: Kam një gjyq pa mbyllur edhe… sikur është për t’u rregulluar.

Personi: Epo, ishalla, do Zoti.

Violandi: Po kot ore. Këta robq… policat i hodhën, ja, dy gram hashash.

Personi: Po për zarar. Për inat.

Violandi: Po nga t’ia mbaj plakës unë, pa ata i kisha paketuar me kohë. Do t’u bija, do t’ua q… motrën, po plaka: aman, aman.

Personi: Po hajde, çfarë do të bësh, më mirë.

Violandi: Ata ashtu e kishin hak.

Kjo bisedë zbulon urrejtjen e Violandit ndaj policisë dhe mendimet e tij për hakmarrje ndaj efektivëve. Sipas deklarimeve të tij në bisedë, vetëm ndërhyrja e nënës e kishte penguar të vepronte kundër punonjësve të policisë që kishin marrë pjesë në aksione ndaj tij. Ai pretendonte se dënimi ishte bazuar në prova të fabrikuara, pavarësisht provave dhe përgjimeve të administruara në dosje.