Batutat në konferencën e përbashkët qeveritare nuk kanë munguar edhe nga komisionerja për Zgjerim e Bashkimit Europian, Marta Kos. Teksa foli për ecurinë e vendit tonë në procesin e integrimit drejt BE-së, Kos tha se pasi vendi të përmbushur negociatat deri në 2027, ajo do ngjitë malin Korab së bashku me kryeministrin Edi Rama.
Kos: Dua të them që ky sukses është i mundur falë mbështetjes së shqiptarëve. Procesi i zgjerimit në të vërtetë, gjithçka çfarë bëjmë e bëjmë për njerëzit, kjo mbështetje kaq e lartë në vendin tuaj është udhëheqja më e mirë që mund të ketë vendi. Nëse dikush e kupton që kjo derë mundësie nuk mund të jetë e hapur gjithmonë ky është vendi juaj. Duke kuptuar këtë ju mund të jeni të suksesshëm. Kur flasim për datën, ju thamë që mbështesim vizionin e Shqipërisë për të përmbushur negociatat deri në 2027, pastaj do t’i ngjitem Korabit së bashku me kryeministrin.
Rama: Mund t’i ngjitemi Kullës Eiffel kur Franca të thotë “po mirë se erdhët në klub”, do të jetë më e vështirë se Korabi.
