Protesta e zhvilluar në Tiranë është shoqëruar me përplasje të forta mes policisë dhe protestuesve, ndërsa situata është përshkallëzuar gjatë mbrëmjes.

Gjatë një momenti kur shpërtheu zjarri, një efektiv policie që ndodhej pranë flakëve u përfshi prej tyre në pjesën e këmbës. Situata u vu shpejt nën kontroll, pasi zjarri u shua menjëherë.

Ndërkohë, bashkëshortja e efektivit të lënduar ka reaguar ashpër përpara gazetarëve, duke kërcënuar personin që, sipas saj, ka shkaktuar dëmtimin e të shoqit.

“Nëse tim shoqi i ndodh gjë, atij studenti do t’ia shuaj unë gjithë familjen. Është dëmtuar”, është shprehur ajo.

Nga ana tjetër, gjatë protestës janë raportuar përplasje dhe raste dhune ndaj të rinjve. Në pamjet e publikuara janë parë gjimnazistë dhe studentë që përballen me efektivët, ndërsa disa prej tyre janë tërhequr zvarrë.

Situata në kryeqytet mbetet e tensionuar, pas përshkallëzimit të protestës dhe përplasjeve mes protestuesve dhe forcave të rendit.