Një student i Universitetit të Delaware u arrestua sot në Shtetet e Bashkuara me akuzën e planifikimit të kryerjes së një sulmi të armatosur në kampusin e institucionit arsimor amerikan, duke vrarë sa më shumë njerëz të ishte e mundur.
Sipas New York Post, ai është 25-vjeçari Lukmaan Khan, në makinën e të cilit, policia gjeti një arsenal të tërë, një jelek antiplumb dhe shënime të shkruara me dorë, sipas të cilave ai donte të “vriste të gjithë” dhe të bëhej “martir”.
Sipas raportit, 25-vjeçari u arrestua ndërsa ishte në makinën e tij pas mësimit, në një park jashtë ambienteve të Universitetit.
Në bagazhin e makinës së tij, autoritetet gjetën municione, një pistoletë, një mjet për ta kthyer pistoletën në pushkë automatike dhe karikatorë për armët.
Dyshohet se Kaan e planifikoi sulmin në Stacionin e Policisë së Universitetit dhe kishte me vete një fletore me shënime të hollësishme rreth planit të sulmit.
25-vjeçari u ndalua rastësisht, pasi oficerët e panë të ulur në makinën e tij dhe, siç thanë ata, kur iu afruan, ai dukej mjaft nervoz. Sipas FBI-së, Kaan – i cili thuhet se është refugjat nga Afganistani – i rezistoi arrestimit.
Sipas shefit të policisë lokale, oficerët iu afruan rastësisht dhe, siç tha ai, e bënë punën e tyre siç duhet në vend që thjesht t’i thoshin të largohej nga vendi i ngjarjes.
